Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të mërkurën se Irani kishte të drejtën “legjitime” për të mbrojtur veten përballë fushatës së vazhdueshme të bombardimeve të Izraelit, raporton AFP.
“Është një e drejtë shumë e natyrshme, legjitime dhe ligjore për Iranin që të mbrohet nga banditizmi dhe terrorizmi shtetëror i Izraelit”, tha udhëheqësi turk, një ditë pasi iu referua kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu si “kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit.
“Këto sulme u organizuan ndërsa zhvilloheshin negociatat bërthamore iraniane. Izraeli, i cili zotëron armë bërthamore dhe nuk njeh asnjë rregull ndërkombëtar… nuk priti që negociatat të përfundonin, por kreu një akt terrorist pa pritur rezultatin. Po i ndjekim nga afër sulmet terroriste të Izraelit ndaj Iranit. Të gjitha institucionet tona janë në gatishmëri të lartë në lidhje me efektet e mundshme të këtyre sulmeve ndaj Turqisë. Ne po bëjmë përgatitje për çdo lloj skenari. Askush nuk duhet të guxojë të na testojë”, tha ai.
Të hënën, Erdogan tha se i kishte urdhëruar industrisë së mbrojtjes të rriste prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi për të “rritur nivelin e parandalimit” në dritën e luftës ajrore midis Izraelit dhe Iranit.