Nëse deri para pak kohësh, as që mendohej që Real Madrid të lejonte largimin e brazilianit Rodrygo, situata duket se ka ndryshuar ndjeshëm së fundmi.
Real Madrid ka vendosur një çmim të qartë për çdo klub që interesohet për Rodrygo-n: 90 milionë euro.
Vetëm për këtë shifër, dhe jo më pak, Real Madrid do të ishte i gatshëm të ulet dhe të negociojë largimin e mundshëm të sulmuesit brazilian, i cili ka qenë një lojtar i rregullt në formacion në sezonet e fundit, por gjërat duket se kanë ndryshuar me ardhjen e Xabi Alonso-s.
Tekniku spanjoll duket se ka ide të tjera për krahun e djathtë dhe preferon të luajë me njërin nga treshja, Arda Güler, Brahim Díaz ose i sapoardhuri Mastantuono, ndaj te Reali po mendojnë për shitjen e Rodrygo-s.
Për brazilianin ka pasur interes të vazhdueshëm nga klubet arabe, por dëshira e tij është të qëndrojë ende në Europë dhe të luajë në një klub elitar në rast largimi nga Reali.
Deri tani është vetëm Arsenal që ka shprehur interes për brazilianin, por nuk është se ka pasur ofertë konkrete. 25-vjeçari mund të ishte një përforcim perfekt për “Topçinjtë”, pasi mund të përshtatej më së miri me skemat e Mikel Artetës.