Nuk ishin problem veç paratë

- Bota Sot

Nuk ishin problem veç paratë

Trajneri i tij parashikon që ai mund të vlejë 25 milionë euro.

Mirlind Daku duhet thjesht që të punojë për ta rregulluar shënjestrën dhe pastaj do të kthehej në një nga sulmuesit më të vlefshëm të Evropës.

Trajneri i Rubin Kazanit, Rahimov, padyshim që është i lumtur që transferimi i parashikuar i yllit kuqezi tek Zeniti nuk ndodhi dhe që futbollisti do të bashkohet me ekipin në 20 korrik në nisje të fazës përgatitore.

Ndërkaq, nga Shën Peterburgu flet presidenti i këshillit të drejtorëve të Zenitit, Aleksandr Medvedev, i cili sqaron se dështimi për ta marrë sulmuesin kosovar nuk ndodhi vetëm për shkak të mosmarrëveshjeve financiare.

“Pati edhe çështje të tjera, jo vetëm të aspektit financiar”, citohet të ketë thënë Medvedev.

Më herët, një media ruse shkroi edhe për probleme politike, pra sesi do të pritej ardhja e tij nga tifozët.

Ndërkaq, klubi nga Tatarstani besohet se do t’i nisë bisedimet për rinovimin e kontratës së përfaqësuesit shqiptar, që përfundon verën e ardhshme.

Aktualisht, sulmuesi gjilanas i fiton vetëm 700,000 euro në vit, ndërsa tek Zeniti i kërkoi të paktën 3 milionë euro.

Të shohim se çfarë do të ndodhë, ndërsa kohë për transferim ka plot dhe dëshirë e lojtarit është që të luajë në Evropën Perëndimore.

Trajneri Rahimov ndërkaq komentoi se është e vështirë ta gjesh sot një sulmues si Daku, me shtatlartësi 1.92 metra, që vrapon aq shpejt dhe e kontrollon aq mirë topin.

Problemi i vetëm mbetet humbja e rasteve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot