Tekniku i Romës, Gian Piero Gasperini ka filluar menjëherë nga puna për ta transformuar Romën që në sezonin e tij të parë në stolin verdhekuq.
Ai e mori drejtimin pas largimit të Claudio Ranierit, ka paraqitur vizionin e tij për një skuadër më konkurruese në Serie A dhe Europë, duke kërkuar pesë përforcime kyçe në merkato.
Sipas Sky Sport, tekniku italian ka kërkuar konkretisht: një qendërmbrojtës të ri, një mesfushor qendror, një mbrojtës të djathtë, një mesfushor sulmues dhe një lojtar për krahun e majtë në rast se Angelino largohet. Në listën e përforcimeve potenciale ka nisur të qarkullojë emri i Wesley, mbrojtësi i djathtë i Flamengos, i cili shihet si objektiv i qartë për atë pozicion, edhe pse për të ka interes edhe nga Juventusi.
Në fazën sulmuese, Gasperini po synon një mesfushor krijues, i aftë të luajë pas sulmuesit kryesor dhe të kombinohet në mënyrë efektive me kapitenin Lorenzo Pellegrini, duke i dhënë skuadrës më shumë ide dhe thellësi në 1/3 e fundit të fushës. Sipas Corriere dello Sport, tekniku nuk e ka mbyllur listën vetëm me pesë emra, por ai ka kërkuar gjithashtu një qendërsulmues të ri, që të mund të udhëheqë repartin me efikasitet.
Në anën tjetër, revolucioni te Roma do të vazhdojë edhe në nivelet drejtues, pasi klubi pritet të emërojë Frederic Massara si drejtorin e ri sportiv, pas largimit të Florent Ghisolfi.