Sulmuesi kalon te Vëllaznimi i Gjakovës

- Bota Sot

Sulmuesi kalon te Vëllaznimi i Gjakovës

Aventura e sulmuesit Ermir Skënderi te Vora zgjati rreth pesë muaj, por fundi ishte pozitiv pasi u kurorëzua me fitimin e titullit kampion në Kategorinë e Parë.

Pas “divorcit” me vorakët 25- vjeçari shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka gjetur menjëherë destinacionin e ri.

Sipas raportimit të “infosport”, Skënderi ka arritur marrëveshje me skuadrën e Vëllaznimit nga Gjakova, skuadër kjo që garon në Ligën e Parë të Kosovës. Kujtojmë se skuadra e njohur gjakovare udhëhiqet nga strategu tetovar, Xhengis Rexhepi.

Në janar të këtij viti, sulmuesi 25-vjeçar iu bashkua Vorës, pasi u largua nga Besa Dobërdoll në Maqedoninë e Veriut. Në pjesën e dytë të sezonit, sulmuesi arriti të shënojë dy gola me Vorën, që fitoi kampionatin në Kategorinë e Parë. Konkurrenca te vorakët ishte e lartë në sulm, pasi përballë kishte një rival të fuqishëm, si Manfredas Ruzgis.

Lituanezi shënoi 24 gola për Vorën, ku u shpall edhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë. Atë që arriti me Vorën, Skënderi shpreson që ta realizojë edhe me Vëllaznimin, duke i ngjitur gjakovarët në elitën e futbollit kosovar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot