Çarja mes Beckham-ëve po thellohet, madje ka arritur në një pikë që duket e pakapërcyeshme. Gjatë 25 viteve të martesës, David dhe Victoria kanë qenë gjithmonë model familjeje, imazh që i ka shndërruar në një nga çiftet më të fuqishme dhe influente të showbiz-it.
Por kohët e fundit, qëkur djali i tyre i madh Brooklyn u martua me aktoren amerikane Nicola Peltz, diçka ka shkuar keq. Pas debatit të supozuar mes nuses dhe nënës së burrit për fustanin e nusërisë, tani kanë dalë në pah edhe çështje financiare, që përfshijnë familjen “Peltz”, një nga më të pasurat në Amerikë. Brooklyn sot është kaq larg sa nuk flet më me prindërit e tij.
Familja e Nicola Peltz mendon se Beckham-ët janë “kopracë”. Kështu raporton një burim i besueshëm për gazetën “The Sun”, sipas të cilit njerëzit pranë aktorës besojnë se ish-futbollisti dhe ish-“Spice Girl” nuk i kanë dhënë kurrë mjaftueshëm para Brooklyn-it: “Paratë, siç thuhet, janë rrënja e të gjitha të këqijave”.
Brooklyn dhe gruaja e tij jetojnë aktualisht në një vilë në Los Angeles, që duket se është burimi i krizës mes Brooklyn dhe Nicola, David dhe Victoria. Vila kushton 13 milionë euro, shumë që pronarët e kanë paguar me kursimet e tyre dhe pjesërisht nga një fond besimi i krijuar nga babai i Nicola.
Pjesa më e madhe e pronës është në emër të Nicola, pasi familja “Peltz” shpresonte në një kontribut më të madh nga Beckham-ët. Qëllimi i Nelson Peltz është që vajza e tij të mos ketë kurrë probleme financiare, gjë që bie ndesh me filozofinë e kursimit të Beckham-ëve.
“David dhe Victoria nuk do t’i jepnin kurrë djalit miliona euro për të blerë një shtëpi”, – shpjegon burimi, duke kujtuar se “Becks” dhe “Posh” gjithmonë kanë theksuar rëndësinë e vlerës së parave tek fëmijët e tyre, pavarësisht se janë rritur të privilegjuar.
Ata që i njohin thonë se të dy vijnë nga familje punëtore dhe për këtë arsye kanë kultivuar vlerën e parave tek katër fëmijët e tyre. Ata kurrë nuk kanë dashur që fëmijët t’i shfrenojnë shpenzimet pa nevojë.
Nelson Peltz është një nga njerëzit më të pasur në SHBA, me pasuri neto të vlerësuar 1.4 miliardë dollarë. Karrierën e nisi duke drejtuar një kamion për shpërndarjen e ushqimit në biznesin e gjyshit dhe më pas u bë kreu i një fondi të rëndësishëm investimesh. Martesa e tij e tretë ishte me ish-modelen Claudia Heffner, me të cilën ka 8 fëmijë, nga të cilët Nicola është më e vogla.
Çifti zotëron disa rezidenca në gjithë vendin; nga shtëpia kryesore në Bedford, pranë New York-ut, një vilë me 27 dhoma dhe mbi 52 hektarë tokë, te prona me 6 akra buzë oqeanit në “Palm Beach”, ku u zhvillua edhe dasma madhështore e Brooklyn dhe Nicola.
Po ashtu, rrethi i ngushtë i miqve të tyre përfshin emra si Donald Trump, manjati i biznesit Rupert Murdoch dhe golfisti Greg Norman.