Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka bërë të ditur se zyrtarë të saj janë takuar me zyrtar të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Në njoftimin e lëshuar nga DhTIK-ja thuhet se në këtë takim nga Agjencia e Regjistrimit Civil, janë njoftuar se është marrë vendimi për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në zgjidhjen e kësaj çështje.
“Në këtë takim është diskutuar rreth problemeve me të cilat po përballen bizneset dhe sidomos bizneset veturave me qira, lizingut, taksive, transportuesve, të cilave po u pamundësohet regjistrimi i automjeteve, shkaku i gjobave të papaguara”.
“Anëtarja e Bordit, Aida Selimi – Shabani, ka shprehur shqetësimin e DhTIK-së dhe bizneseve të saj, në lidhje me këtë veprim, duke vënë theksin në dëmin që po u shkaktohet bizneseve nga aplikimi i një dispozite (Neni 89, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor), e cila kushtëzonte regjistrimin me pagesën e gjobave duke i bllokuar flotat e automjeteve të tyre, si dhe duke i obliguar që të paguajnë të gjitha gjobat përnjëherë duke i vendosur në situatë të vështirë financiare e pa mundësi ankese”, thuhet në njoftim.