Pas dy sezoneve të jashtëzakonshme me FC Prishtina 01, trajneri Ferid Agushi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje e ekipeve vendore si dhe nga jashtë Kosovës.
I njohur si lideri që i solli klubit lavdinë vendore dhe respektin ndërkombëtar, Agushi po konsiderohet një nga emrat më të vlefshëm të tregut aktual të trajnerëve në futsal.
Në dy sezonet e fundit, Prishtina 01 ka dominuar skenën vendore nën drejtimin e tij – duke fituar dy herë titullin kampion të Kosovës dhe dy herë Kupën e Kosovës, një arritje që nuk është parë shpesh në historinë e këtij sporti.
Kulmi i suksesit erdhi në arenën evropiane, ku skuadra arriti të shkëlqejë në UEFA Futsal Champions League, duke kaluar fazën preliminare dhe atë të main round, për të hyrë në Elite Round – Top 16 të Evropës, përballë gjigandëve të futsalit kontinental.
Burimet tona bëjnë të ditur se ka pasur interesim konkret nga disa klube të njohura jashtë Kosovës për ta afruar Agushin në radhët e tyre.
Për momentin nuk ka konfirmime zyrtare, por sinjalet janë të qarta: trajneri ka hyrë në radarin e klubeve serioze, që shohin në të një drejtues me përvojë ndërkombëtare dhe fitues të provuar.
Nga ana tjetër, vetë Agushi ka zgjedhur heshtjen për të ardhmen, por disa prej postimeve të tij të fundit në rrjetet sociale kanë lënë hapësirë për interpretim.
“Kur ke dhënë gjithçka që ke, e kur je ngjitur në majë me zemër të pastër, vjen një moment kur nuk flasin më trofetë – por heshtja.”
E ardhmja e Agushit është e paqartë, por një gjë është e sigurt: vlera dhe reputacioni i tij janë rritur ndjeshëm.
Nëse Prishtina 01 dëshiron të vazhdojë këtë rrugëtim të lavdishëm, do të duhet të bëjë një hap serioz – sepse trajneri kampion është dëshirë e madhe për shumë klube që kërkojnë jo vetëm sukses, por edhe identitet.