Trajneri i Mamelodi Sundowns, Miguel Cardoso, ka thënë se ekipi i tij do ta ketë shumë të vështirë në përballjen ndaj Borussia Dortmund në Botërorin e Klubeve, por ka theksuar se me besim gjithçka është e mundur.
Sundowns, që ka fituar ndeshjen hapëse kundër Ulsan HD 1-0, ndodhet në krye të Grupit F, por Cardoso e ka pranuar se përballë Dortmund nuk do të kenë posedim të topit, siç janë mësuar zakonisht në kampionatin vendas apo në garat afrikane.
“Befasitë mund të ndodhin kur skuadra ka bindje mendore dhe lidhje emocionale. Atëherë mund të ndodhë magjia”, ka thënë Cardoso në një konferencë për media para ndeshjes që do të zhvillohet të shtunën në Stadiumin TQL në SHBA. “Do të përpiqem të krijoj te ekipi një atmosferë me ambicie, vendosmëri dhe emocionin e duhur për një sfidë të tillë”.
Ai është shprehur se qasja e skuadrës së tij do të jetë agresive. "Ata shënojnë rreth 40% të golave nga kundërpresioni. Ne nuk jemi mësuar pa topin, por duhet të jemi të organizuar dhe të durueshëm, edhe kur e presim momentin për të rifituar posedimin”, është shprehur trajneri portugez.
Cardoso është shprehur i lumtur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke thënë se Sundowns është e vetmja skuadër afrikane me fitore në këtë edicion të Botërorit të Klubeve.
“Jemi shumë krenarë. Tani kemi hapur një mundësi për vete dhe kemi kthyer ëndrrën në objektiv. Por e dimë se çfarë na pret, dhe nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë ai.
Ndeshjen e fundit të grupit, Sundowns do ta zhvillojë të mërkurën e ardhshme ndaj Fluminense.