Joan García nënshkroi këtë të premte kontratën e tij me Barcelonën, që do ta lidhë me klubin katalanas deri në qershor të vitit 2031. Portieri katalanas, i cili mbërrin në “Spotify Camp Nou” pasi Barça pagoi në La Liga klauzolën e lirimit që kishte me Espanyolin (25 milionë euro, plus indeksimi me inflacionin), firmosi marrëveshjen e re në një ceremoni private në zyrat e stadiumit blaugrana. Pas nënshkrimit dhe fotove me presidentin Joan Laporta dhe të afërmit e tij, “gardiani” 24-vjeçar foli për mediat zyrtare të klubit:
“Jam shumë i lumtur, mezi e prisja këtë ditë. Tani më duhet të vazhdoj të rritem si portier, të fitoj shumë dhe të arrij gjëra shumë të bukura, sepse për këtë kam ardhur.
Kur ke një skuadër kaq të re dhe me lojtarë kaq të mirë, është projekt emocionues. Njoh shumë prej tyre dhe mezi pres të nis”.
Joan García shpjegoi gjithashtu se çfarë mund të ofrojë për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick: “E përshkruaj veten si një portier të guximshëm, që i pëlqen ta ndihmojë skuadrën, i shpejtë në portë dhe me reflekse të mira. Mundohem të jap kontribut në lojën ajrore”.
Së fundi, “gardiani” nuk e fshehu entuziazmin që ndjen për të luajtur në stadiumin e ri të rinovuar të Barcelonës: “E kam parë modelin e ‘Spotify Camp Nou’ dhe është mbresëlënës. Kam shumë dëshirë ta provoj, jam i sigurt që do të shohim shumë fitore në të”.
Joan García forcon portën e Barcelonës, ku aktualisht janë gjithashtu Marc-André ter Stegen dhe Iñaki Peña. Wojciech Szczęsny është ende në pritje për të firmosur ofertën e rinovimit; një sezon, plus një tjetër opsional.