Conte del hapur

- Bota Sot

Conte del hapur

Nga një largim thuajse i sigurt, në një rinovim besimi që mund të shënjojë një tjetër epokë të artë për Napolin. Antonio Conte tregon për herë të parë detaje të rëndësishme mbi takimin me presidentin Aurelio De Laurentis, një takim që, sipas tij, ndryshoi rrjedhën e sezonit.

“U sqaruam, ishte jetike të flisnim. Ai kuptoi gabimet dhe ato gjëra që duhen përmirësuar. Kam një kontratë dhe ky sqarim ishte çelësi i gjithçkaje”, u shpreh tekniku italian për të përjavshmen “7” të “Corriere della Sera”. Konte mohon edhe një herë zërat për kontakte me Juventusin, duke nënvizuar se, ndonëse kishte interesa përmes ndërmjetësish, ai ka qëndruar i fokusuar te Napoli deri në fund të sezonit. “Ishte e dhimbshme të dëgjoja ato zëra.

Nuk është marrë parasysh si jam unë si njeri. Kam thënë qartë se do të flisja me klubin pas përfundimit të kampionatit dhe se do të hapesha ndaj një tjetër opsioni vetëm nëse takimi me Napolin do të dështonte”, tha Konte me një ton të prerë. Duke u kthyer pas në kohë, trajneri kujton momentin kyç që e bindi se Napoli mund ta fitonte kampionatin. “Pas ndeshjes së dytë kundër Interit, ku rikuperuam rezultatin dhe madje rrezikuam të fitonim, e kuptova se kishim potencialin për titull. Atëherë i thashë publikisht skuadrës.

‘Nëse duam, mundemi’. Ishte një mesazh për lojtarët. Unë besoja, duhej të besonin edhe ata”, tregon Konte. Por, fati i titullit nuk ishte gjithmonë i sigurt. Ai rrëfen me sinqeritet rrezikun pas barazimit me Xhenoan në javët e fundit të sezonit: “Rrezikuam seriozisht të humbnim gjithçka”. Trajneri italian ndalet edhe te filozofia e tij për drejtimin e skuadrës. “Një trajner duhet të arrijë në zemrën dhe mendjen e lojtarëve. Këmbët janë gjëja e fundit.

Nuk ka nevojë të jesh i ashpër, por i drejtë. Më mirë një e vërtetë e hidhur sesa një gënjeshtër e bukur”.

Conte nuk ngurron të bëjë edhe një krahasim me të kaluarën. “Sot, lojtarët bëjnë një të tretën e asaj që bënim ne.

Napoli në fillim të sezonit nuk kishte atë që unë e quaj ‘thikë në çorape’, pra, atë egërsinë sportive. Pastaj e gjetën, dhe vetëm kështu arritëm ta fitojmë kampionatin”. Ndër momentet më të vështira, ai kujton humbjen kundër Komos.

“Në pushim ishte 1-1, por në pjesën e dytë ata kishin më shumë uri dhe na mundën. Atë ditë isha shumë i ashpër. Mund të humbasësh, por jo sepse tjetri ka më shumë dëshirë dhe ambicie”. Nga këto fjalë, del një Antonio Konte i ndjeshëm, por i palëkundur në parimet e tij, një trajner që kërkon më shumë sesa talent, kërkon shpirt, sakrificë dhe vendosmëri. Dhe në Napoli, duket se i ka gjetur.



Lexoni të gjitha në Bota Sot