Lewandowski do të largohet falas nga Barcelona

- Bota Sot

Lewandowski do të largohet falas nga Barcelona

A do të jetë Robert Lewandowski një tjetër nga kampionët e mëdhenj, që do ta lërë Europën për të notuar në arin e Azisë Perëndimore?

Në Arabinë Saudite, konkretisht e përditshmja “Al-Riyadiyah”, siguron se ekziston tashmë një marrëveshje me sulmuesin polak të Barcelonës, e cila do të konkretizohet sapo të përfundojë kontrata e tij me klubin katalanas, në vitin 2026.

Deri më tani, si Lewandowski, ashtu edhe përfaqësuesit e tij kanë mohuar çdo lloj kontakti, duke theksuar se prioriteti i vetëm i bomberit 36-vjeçar është të respektojë kontratën që e lidh me Barcelonën, të paktën deri në vitin 2026.

Por, sipas burimeve arabe, dëshira e ish-sulmuesit të Bayern Munich dhe Borussia Dortmundit ekziston dhe ua ka komunikuar tashmë njerëzve të tij më të afërt.

Aktualisht, megjithatë, nuk ka ende negociata të mirëfillta. Nuk ekziston asnjë bisedim konkret mes përfaqësuesve të Ligës Saudite dhe Lewandowskit, por këto kontakte pritet të vijnë, sepse “Saudi Pro League” dëshiron ta bëjë realitet transferimin e polakut, që këtë sezon ka shënuar 42 gola në 52 ndeshje me ekipin e Flick.

Ekziston edhe një detaj jo i vogël: nga Arabia janë të bindur se agjencia që përfaqëson lojtarin polak nuk ka marrë parasysh asnjë marrëveshje të re me Barcelonën. Prandaj, kontrata do të skadojë pas një viti. Megjithatë, për ta parë Lewandowskin larg Europës, do të duhet të pritet të paktën edhe 12 muaj.



Lexoni të gjitha në Bota Sot