Atalanta merr vendimin për kapitenin kuqezi

- Bota Sot

Atalanta merr vendimin për kapitenin kuqezi

Berat Gjimshiti në këtë verë gjendej përsëri në një udhëkryq, pasi duhej të vendoste nëse dëshironte të ishte përsëri protagonist në nivelet më të larta me klubin e Atalantës, apo të pranonte një ofertë shumë të mirë financiare që i ka ardhur nga Katari. Zgjidhjen, duket se ia ka gjetur klubi i tij.

Klubi i Al Rajan në Doha është gati të paguajë shifra të çmendura për kapitenin e Kombëtares shqiptare dhe për të dytën verë radhazi ka kërkuar transferimin e tij nga Atalanta. Klubit bergamask i është propozuar edhe një shifër prej rreth 10-12 milionë eurosh për të lënë të lirë futbollistin i cili hyn në vitin e fundit të kontratës së tij.

Për këdo kjo do të ishte një ofertë e vështirë për t’u refuzuar. Por për Atalantën gjërat ndryshuan shumë në këtë verë me largimin e trajnerit Xhampiero Gasperini dhe afrimin e Ivan Juriç.

Ndaj sipas mediave lokale, më saktësisht edicionit të Bergamos të “Corriere Della Sera”, klubi ka vendosur që të refuzojë ofertën nga Katari për lojtarin.

Gjimishtit i kërkohet që të qëndrojë e të vazhdojë të bëjë liderin e mbrojtjes së zikaltërve në një tjetër sezon të rëndësishëm me praninë në Ligën e Kampioneve.

Ai vlerësohet si pika e referimit sa i përket prapavijës së Atalantës ndaj klubi ka hequr dorë nga përfitimi që mund të kishte për shitjen e Gjimshitit, edhe pse rrezikon që në vitin tjetër, nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët për rinovimin, ta humbasë me parametër zero.



Lexoni të gjitha në Bota Sot