Skuadrat nga Amerika e Jugut po tregojnë fuqi në Kupën e re të Botës për Klube të FIFA-s që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sfiduar seriozisht klubet më të mëdha të Evropës.
Përkundër humbjes së vonshme të Boca Juniors ndaj Bayern Munich në Miami, që i dha fund një serie prej 10 ndeshjesh pa humbje për klubet e Amerikës së Jugut, mbështetja e zjarrtë e tifozëve argjentinas në "Hard Rock Stadium" ishte dëshmi e pasionit që këto skuadra sjellin me vete.
Skuadra si Botafogo, Flamengo, Palmeiras dhe Fluminense kanë bërë paraqitje mbresëlënëse në turne. Botafogo mposhti Paris Saint-Germain me rezultat të ngushtë në Pasadena, ndërsa Flamengo përmbysi rezultatin ndaj Chelsea në një ndeshje të jashtëzakonshme në Filadelfia, ku ishin të pranishëm mbi pesëdhjetë e katër mijë tifozë.
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, pas ndeshjes ndaj Boca Juniors është shprehur për atmosferën e jashtëzakonshme.
“Atmosferë e pabesueshme, ishte sikur ‘La Bombonera’ të ishte zhvendosur në Miami. Për çdo skuadër evropiane, këto ndeshje janë si transferta”, ka thënë tekniku belg.
Në anën tjetër, pak tifozë nga Evropa kanë udhëtuar në SHBA për ta mbështetur skuadrat e tyre, ndonëse stadiumet janë mbushur me fanella të Chelsea, Manchester City dhe të tjera klubeve të mëdha.
Klubet evropiane vazhdojnë të kenë përparësi të madhe financiare. Sipas analizës së “Deloitte Football Money League”, njëzet e nëntë nga tridhjetë klubet më të pasura në botë janë evropiane. Real Madrid prin me mbi një miliard euro të ardhura, ndërsa Flamengo është i vetmi klub nga jashtë Evropës në këtë listë, në vendin e tridhjetë me 198 milionë euro.
Por në fushë, skuadrat nga Brazili dhe Argjentina po e tregojnë veten. Trajneri i Borussia Dortmund, Niko Kovac, ka deklaruar se klubet lationamerikane do të kenë sukses.
“Jam i bindur që shumica e ekipeve nga Amerika e Jugut do të kalojnë në fazat me eliminim direkt”, ka thënë ai.
Përveç kualitetit, edhe kushtet klimaterike po luajnë rol. Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, ka përmendur temperaturat e larta si vështirësi për ekipet evropiane, të cilat vijnë të lodhura pas një sezoni të gjatë, ndryshe nga klubet e Amerikës së Jugut që kanë nisur kampionatet më herët gjatë vitit.
Ish-lojtari i Atletico Madrid dhe Chelsea, tani trajner i Flamengo, Filipe Luis, ka thënë se klubet amerikano-jugore janë konkurruese.
“Jam i befasuar me këto rezultate, sepse e di cilësinë e elitës evropiane. Por është e qartë që klubet tona janë shumë konkurruese”, ka thënë ai.
Kompany ka theksuar se suksesi në këtë turne nuk varet vetëm nga cilësia. “Ata kanë lojtarë të mirë dhe kushte më të përshtatshme. Ne duhet të barazojmë urinë e tyre për fitore”, është shprehur ai.