Asencio “skuq” Realin, por spanjollët triumfojnë ndaj Pachuca-s, Alonso: Fitore e rëndësishme

- Bota Sot

Asencio “skuq” Realin, por spanjollët triumfojnë ndaj Pachuca-s, Alonso: Fitore e rëndësishme

Më në fund, Xabi Alonso ka një arsye për të buzëqeshur, me Real Madrid që feston për fitoren e parë në Botërorin e Klubeve. Ekipi spanjoll doli me 3 pikë përballë Pachuca-s, por sërish Alonso përjetoi makthe nga pankina ku pas vetëm 7 minutash lojë, Raul Asencio la ekipin me 10-të lojtarë pas një ndërhyrje të parregullt si lojtari i fundit.

Pavarësisht këtij fakti, Reali kishte kontrollin e lojës dhe pas disa përpjekjeve, Bellingham finalizoi me gol një aksion perfekt në minutën e 35-të. Jo vetëm kaq, por në fundin e pjesës së parë, Reali gjeti dhe golin e dytë me Arda Guler.

Mungesa e një lojtari në fushë që nga minuta e 7-të filloi të ndihej me kalimin e minutave, por për të sjelle qetësi në radhët e Realit mendoi Valverde i cili u vertikalizua bukur në minutën e 70-të dhe më një goditje fluturimthi realizoi golin e tretë. Meksikanët e Pachuca-s e kishin të vështirë të riktheheshin në lojë, por të paktën në minutën e 80-të gjetën golin e nderit duke ngushtuar shifrat në 3-1.

Fatet e Grupit H do të vendosen në sfidën e fundit, ku tre ekipe, Real, Salzburg dhe Al Hilal janë në garë për një biletë për në fazën e 1/8.

Xabi Alonso shijon në maksimum këtë fitore e erdhur pas një ndeshje ku luajtën për afro 83 minuta me një lojtar më pak: “Ishte një fitore shumë e rëndësishme, mbi të gjitha për mënyrën se si u arrit. Të luash thuajse gjatë gjithë ndeshjes me një lojtar më pak është shumë impenjuese. Jam i lumtur për mënyrën se si luajtëm, me shumë inteligjencë. Asencio? Është e trishtueshme, është një gabim që shënjon të gjithë ndeshjen, mënyrën se si do të luash, por këto janë gjëra nga ku mund të mësosh. Është më mirë të pësosh një gol që në fillim se sa të mbetesh me 10-të lojtarë”, u shpreh Alonso.



Lexoni të gjitha në Bota Sot