Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, ka raportuar një fyerje raciste nga kapiteni i Pachuca-s, Gustavo Cabral, gjatë ndeshjes së Kupës së Botës për Klube. Incidenti ndodhi në kohën shtesë, pas një përplasjeje në zonën e penalltisë, me Rudigerin që mbeti në tokë dhe më pas njoftoi gjyqtarin Ramon Abatti, i cili bëri gjestin “X” me krahë – sinjal zyrtar i FIFA-s për raste racizmi.
Cabral i mohoi akuzat pas ndeshjes, duke thënë se përdori një shprehje fyese në gjuhën e tij, por jo me përmbajtje raciste. Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, konfirmoi nisjen e hetimeve, duke theksuar se “është e papranueshme” dhe se ata i besojnë Rudigerit. Ndërkohë, përfaqësuesit e mbrojtësit gjerman u shprehën skeptikë për ndonjë veprim real nga autoritetet.
Trajneri i Pachuca-s, Jaime Lozano, tha se nuk ishte informuar për incidentin dhe mbrojti lojtarin e tij, duke thënë se ai nuk është përfshirë kurrë në raste të tilla.
Ky është një nga rastet e para ku përdoret gjesti “X” nga protokolli i ri i FIFA-s, i krijuar për të luftuar racizmin në futboll.
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, konfirmoi pas ndeshjes se është hapur një hetim për incidentin: "Toni na tregoi se çfarë ndodhi, protokolli i FIFA-s është aktivizuar dhe një hetim është duke u zhvilluar. Ne e besojmë atë. Është e papranueshme."
Pasi u informuan për shpjegimin e Cabral, përfaqësuesit e Rudiger përsëritën qëndrimin e tyre për portalin sportiv të Neë York Times, The Athletic: "Ka një hetim të vazhdueshëm, por në fund nuk ndodh asgjë konkrete ", shkruan ata. "Herë pas here ne nisim një fushatë në mediat sociale, të gjithë ndihen mirë për këtë dhe pastaj gjithçka kthehet siç ishte më parë. Asgjë nuk ndryshon vërtet."