Nga legjenda në përjetësi: Klubi i Oviedos e nderon Santi Cazorlan

- Bota Sot

Nga legjenda në përjetësi: Klubi i Oviedos e nderon Santi Cazorlan

Real Oviedo është rikthyer në La Liga për herë të parë pas 24 vitesh, pas një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë që e çoi klubin deri në kufijtë e zhdukjes. Kur Oviedo ra nga elita në vitin 2000, Santi Cazorla ishte vetëm 16 vjeç. Sot, në moshën 40-vjeçare, ai është bërë fytyra e ngjitjes së klubit sërish në majën e futbollit spanjoll.

Në vitin 2003, Oviedo pësoi dy rënie brenda një vere – nga liga e dytë në të tretën, dhe më pas në të katërtën – për shkak të sanksioneve financiare, duke u afruar shumë me shuarjen. Ata u rikthyen në ligën e tretë në vitin 2005, por në vitin 2012 përjetuan edhe një krizë tjetër që kërkoi mbledhje fondesh dhe shitje aksionesh në treg për të mbijetuar.

Pasi u rikthyen në futbollin profesionist në vitin 2015, Cazorla iu bashkua klubit në vitin 2023, në moshën 38-vjeçare, pasi kishte luajtur në Katar. Ligjërisht, futbollistët duhet të paguhen, por Cazorla u kthye me pagën minimale të Segunda División, me një kusht të veçantë: 10% e shitjeve të fanellës së tij të shkonin për akademinë e klubit. Vitin e kaluar, Oviedo ishte afër promovimit, por u ndal në finalen e play-off-it nga Espanyoli.

Të shtunën, ëndrra u bë realitet. Oviedo përmbysi rezultatin e përgjithshëm 2-0 ndaj Mirandésit dhe fitoi promovimin në kohën shtesë, falë një goli nga Ilyas Chaira dhe një goditjeje të bukur nga Francisco Portillo. Festa shpërtheu në stadiumin “Nuevo Carlos Tartiere”, me tifozët që pushtuan fushën dhe Cazorla që i udhëhoqi në këngën “We will be back”.

Santi Cazorla është një hero i padiskutueshëm në qytetin e tij. Ai e quajti finalen e play-off-it ndeshjen më të madhe të jetës së tij – pavarësisht se ka fituar dy herë Kampionatin Evropian me Spanjën.

Presidenti i Oviedos, Martin Pelaez, konfirmoi për “Cadena Cope” se po punohet për një rinovim kontrate me Cazorlan. Ndërkohë, edhe kryetari i komunës, Alfredo Canteli, ka nisur procedurat për ta përjetësuar figurën e tij në qytet.

Sheshi dhe shatërvani ku tifozët tradicionalisht festojnë fitoret – “Plaza America” – do të riemërtohet “Plaza Santi Cazorla”, në nder të kontributit të tij historik për klubin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot