Theo Hernandez është gjithnjë e më pranë largimit nga Milani, ndërsa raportimet e fundit nga mediat italiane sugjerojnë se Al-Hilal ka arritur një marrëveshje me klubin kuqezi, pas aprovimit të vetë lojtarit për të kaluar në Arabinë Saudite.
Sipas “Sky Sport Italia”, Milani ka pranuar një ofertë prej 25 milionë eurosh plus bonuse nga skuadra saudite. Kjo shifër është disi më e ulët se 30 milionët e përfolura më herët, por mjaftoi për të bindur drejtuesit e Rossonerëve që të japin dritën jeshile për largimin e mbrojtësit francez.
Fillimisht, Theo kishte hezituar të pranojë ofertën e Al-Hilal, por me kalimin e ditëve ai ndryshoi qëndrim dhe tashmë ka dhënë miratimin për transferim. Negociatat kanë përparuar me shpejtësi që prej këtij momenti.
Hernandez, i cili iu bashkua Milanit në vitin 2019 nga Real Madridi, ka qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës gjatë viteve të fundit.
Por me interesimin në rritje nga klubet e Ligës Profesionale Saudite dhe me një ofertë të rëndësishme në tavolinë, duket se koha e tij në San Siro po i afrohet fundit.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, ditët në vijim mund të jenë vendimtare për konkretizimin e transferimit, i cili do të mbyllte një cikël gjashtëvjeçar të rëndësishëm për lojtarin 26-vjeçar me fanellën e Milanit.