Pas amnistisë së vitit ‘82 dhe pas vrasjes së Rexhep Gecit, gjendja u rëndua më shumë në burgun e Spaçit, ku policia nisi të shtrëngojë masat e regjimit të brendshëm me oraret, radhët e ushqimit e zgjatjen e kohës së pritjes në tarracë për apel. Në fund-janarin e vitit ‘83, na njoftojnë se një pjesë e burgut të Spaçit, do të transferohej. Ishte hapur një burg i ri pranë malit Munellë të Pukës, që quhej Qafë-Bari dhe duheshin krahë pune, për shfrytëzim. Punëtorët e fortë dhe problematikët, u futën në listën që do të nisej për në minierën e Pukës. Transferimi i rreth 200 të burgosurve, ishte mundim i madh për ta, pasi duhej të bëheshin dorëzimet e batanijeve, çarçafëve, dyshekëve dhe enëve, si; tas, lugë e pagure, duhej të merrje sendet e tua personale nga depot e, t’i bëje gati për kontroll.
Më 22 maj 1984, aty ndodhi një ngjarje me rëndësi historike, (Revolta e Qafë-Barit), e cila mendoj se duhet të përcillet me dëshmitë e drejtpërdrejta të pjesëmarrësve në të, për ta sjellë atë sa më të plotë e, më pranë reales. Duke i mbledhur copat e fakteve të shprehura nga protagonistët, mundë të krijohet një vizion më i plotë, që do t’i ngjante restaurimit të një mozaiku.
NUREDIN SKRAPARI
Në vitin 1983, na çojnë në kampin e Qafës së Barit, ishim rreth 500 të burgosur politikë të moshës 30-40 vjeç. Me vajtjen tonë, rendimenti i punës u rrit shumë. Shumica nga ne kishte bërë 8-10 vjet burg. Unë i kisha bërë mbi 10 vjet vite burg. Kur ata panë që ne punonim shumë, filluan një shtrëngim, të cilin e deklaruan edhe verbalisht. Për cilindo të burgosur që nuk bënte normën 4 vagonë, do të kthehej nga galeria në mensë, do të hante dreken apo darken, si të qëllonte, dhe do të shkonte sërish në punë, me turnin pasardhës.
Këtë filluan ta bëjnë rregull. Kjo na ra në sy të gjithëve dhe njerëzit mendonin si ta frenonin, pasi ishte e pamundur që të punonin, mbasi kishin mbyllur turnin, pasi ishin të lodhur e të pa mundur. Dhe duket mes tyre kishin menduar, i binte fiks 11 vjet nga revolta e Spaçit, 21-23 maj 1973. Interpretët kryesorë të kësaj ngjarje, Sokol Sokoli e Tom Ndoja, i kishin bërë mirë llogaritë. Kam ndodhur te dera, kur po shkonte në punë brigada e turnit të parë.
Dy policë po merrnin me forcë për në punë një të burgosur që nuk e kishte bërë vagonin e munguar. Sokoli dhe Toma, që i njihja të dy, me të dy kisha shtyre vagonët, një herë me njërin e një herë me tjetrin, u sulën dhe ja rrëmbyen policëve atë djalin të cilin e futën brenda kampit e, i thanë shko në birucë. Rregullorja thoshte; nëse nuk realizojnë normën, komanda i ndëshkon në fillim me vërejtje, pastaj me tre ditë, shtatë ditë, e më pas një muaj birucë, kjo rregullore ishte firmosur nga ministri.
Këta ju thanë policëve; futeni në birucë, pra kërkuan një të drejtë, ndërkohë policët e shtuar në numër, u sulën për të vënë “nderin” në vend. Tentuan ta merrnin prap atë djalin. Aty jam ndodhur edhe unë. U bëmë një bllok, tridhjet- dyzet të burgosur e, nuk i lamë policët që ta merrnin atë djalin, Nduen, pra u bëmë shumë nga ne. Më pas kanë ardhur shumë policë me pendrekë në duar e, na kërkuan të futemi në mencë. Thirrën Tom Ndojën të cilin mbas pak hezitimesh, e lanë shokët, duke i thënë dil.
Kur doli përjashta Toma, unë e kam parë me sytë e mijë, (se ndodhesha i ulur pranë derës), ju hodhën në shpinë disa policë dhe e lidhën me hekura gjermane, nga ato më të fortat që të shtrëngonin dorën, sa të këpusnin kyçet e duarve. Këtë skenë e panë edhe shokët e tij, të cilët u vërsulën jashtë e jua muarën policëve nga duart dhe e zgjidhën, policët ikën të gjithë përjashta dhe ne dolëm nga mensa e, u ngjitëm në një shesh atje sipër. Në fakt, ngjarja nuk u zhvillua kaq shpejt sa po e përshkruaj, por unë po them episodet kryesore të sajë.
Dëgjojmë një uturimë sipër nesh, ishte një helikopter që si të them unë, dukej si një korb i zi gjigant, i madh. Me të kishte ardhur zv. ministri i Brendshëm, shefi i Sigurimit të Shtetit Zylzftar Ramizi, i cili hipi mbi një tarracë e, ndërkohë burgu ishte i rrethuar me ushtarë e përforcime, një ushtari nuk i mbajtën nervat apo e urdhëruan dhe qëllojë, plumbi godet Kostandin Gjordenin, unë e kam patur afër gati 2 metra. I dëmtojë krahun e ai thirri. Dikush tha; – “vëllezër, po na vrasin, të shkojmë nëpër dhoma”. Ndërkohë Llazi Koçi, një pjesëtar i grupit, thirri; – “poshtë komunizmi”.
Të gjithë të burgosurit si të vënë nën komandë a vet-komandë, përplasën njëkohësisht këmbët në tokë. Toka u tund, kjo u duk si tërmet. Ai ishte çasti që na identifikojë ne politikisht, paçka se ne po kërkonim një të drejtë. Spaçi u identifikua me flamurin pa simbolin e komunizmit, yllin e kuq, ne u identifikuam me këtë thirrje.
– Dy informacionet e mëposhtme, janë të zhvendosura në kohë dhe të sajuara, pra një aktrim. Ato i përkasin realisht, ngjarjeve të Qaf-Barit.
Sekret
Ekzemplar Nr.1
Shkodër, më 6.12.1984
EKSTRAKT
Nxjerrë nga e dhëna e B.p. “Furtuna”, e datës 2.11.1984
…Më pas Shtjefën Pjalmi, i tregon burimit: “Kam ndenjur para disa ditësh me një Flamur nga Shkodra, që ka qenë marinar dhe ka bërë 19 vjet burg në Spaç. Ai më ka thënë një gjë shumë sekrete që vetëm ti po e dëgjon nga goja ime. Të burgosurit janë organizuar në atë mënyrë, që sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor, ose ta vrasin, të gjithë të ngrihen në kryengritje në tërë burgjet e Shqipërisë. Ata e dinë veten të vdekur, prandaj do të ngrihen. Më tha Flamuri se ky organizim, është bërë në mënyrë të përsosur”…
“Furtuna”
EKSTRAKT
Nxjerrë nga e dhëna e B.p. “Furtuna”, e datës 12.11.1984
Burimi e pyet Shtjefën Pjalmin, se më fole për atë Flamurin. Di gjë ai për organizimin e të burgosurve? Shtjefni përgjigjet: “Ai ka ndenjur disa vjet në burg, me njerëz të mëdhenj. Atje në burg është formuar qeveria, që do të vendoset sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor i Partisë. Çdo gjë është gati. Pritet shpërthimi me rastin e vdekjes. Burimi i thotë, se si ka mundësi që të burgosurit të lidhen me njëri-tjetrin në burgje të ndryshme? Shtjefni tregon: “Mund të jetë ndonjë njeri i jashtëm që lëviz dhe organizon këtë punë”…
“Furtuna”
Konkluzioni im
Ministria e Punëve të Brendshme, në rrugë operative kishte mbledhur informacion, se në burgun e Qaf-Barit, ishte krijuar një vatër e cila ndoshta edhe me ndihmë nga jashtë telave, do të bënte të mundur hapjen e një rruge kalimi, për t’u arratisur nga burgu. Kjo arratisje, do të kishte në kulmin e saj, nxjerrjen jashtë telave, të një bërthame të mundshme politike e cila, mundet të ketë patur planet dhe objektivet e veta (sipas sajë).
Me qëllim parandalimin dhe shkatërrimin e kësaj vatre të rrezikshme për P.P.SH-në, u inskenua revolta e 22 majit 1984, fati tragjik i së cilës dihet tashmë. Zhvendosja në kohë e vende dhe inskenimi i ngjarjes, janë bërë për të ç’rregulluar rrjedhën faktike të sajë, e cila dëshmon se ka patur edhe një dosje tjetër të detajuar:
a) me raportues, bashkëpunëtorë të cilët kanë qenë 35 veta.
b) me emrat dhe pozicionet e protagonistëve të piketuar.
c) me analizën dhe konkluzionet e situatës.
d) me planin e zbatimit për shkatërrim dhe ndëshkimin të kësaj vatre.
Mendoj se kemi të bëjmë pikërisht me ato dosje sekrete, për të cilat deputeti persekutor, Spartak Braho shprehet:- …”do të hapim disa dosje, që Tufa (Agron) dhe Dervishi (Kastriot), nuk do të mundin t’i hapin dot”.
Deklarimi i dëshmitarit okular Shefqet Dobro, qartëson me shprehjet e tij:
– Ç’duheshin gjithë këto forca?
– Kur ishin lajmëruar dhe pse?
– Po si erdhën kaq shpejt nga Tirana?
– Me sa dukej, nuk ishte rastësi!
FILLIMI I MASAKRËS
Helikopteri i ardhur nga Tirana, zbarkon;
– Zylyftar Ramizin, drejtor i Sigurimit te Shtetit;
– Zv.Ministri i Brendshëm, Agron Tafa;
– Kasem Kaçin, drejtor i Drejtorisë së Tetë, pranë M.B.;
– Lekë Ymerin, specialist në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si edhe disa persona të tjerë të cilët fillimisht drejtohen në komandën e burgut sigurisht, për t’u informuar më shumë rreth situatës së krijuar brenda burgut të Qaf-Barit. Më pas ata vijnë përballë portës kryesore, ku hynin dhe makinat që merrnin mineralin e nxjerrë prej nëntokës nga skllevërit e dënuar.
Sheshi përpara kësaj porte, nxinte nga njerëz të veshur me uniforma të ndryshme. Agron Tafa, me një megafon në dorë, hipën në karakollin që ndodhej pranë kësaj porte, duke ju drejtuar të burgosurve me këto fjalë: – “Vini re, të dënuar, vini re. Qeveria është e shqetësuar, për ç’farë ka ndodhur këtu, për këtë arsye jemi dërguar prej saj, që ta zgjidhim këtë situatë.
Në analizën e bërë edhe me komandën, arritëm në përfundimin se nuk jeni vetëm ju fajtorë, për sa ka ndodhur, prandaj dërgoni një përfaqësi, që ta mbyllim këtë problem me marrëveshje, në të kundërt, do të detyrohemi të përdorim dhunën, keni pesë minuta afat”.
Sokol Sokol e Martin Leka, shkojnë tek dera ku të dënuarit dilnin për të bërë takim me familjet. Ata biseduan me Leke Ymerin e disa të tjerë, kur kthehen ishin të gëzuar se kishin marrë fjalën e burrit qe nuk do te prekej njeri me dore . Sokoli kalimthi ndeshi me vështrimin e Fatmirit e tha ;- na premtuan nuk kemi nga t’ja majme e uli kokën si ai luani i zënë në kafaz, ndoshta duke kujtuar edhe fjalët e tij tek fusha lart ;- mos të dorëzohemi se këta do te bëjnë gjak .
U dha urdhri të gjithë të futen nëpër dhoma. Oborri u mbush me Forcat Speciale të pajisura me skafandra, mburoja plastike, shkopa gome, veshje të përforcuara për sulm, shkurt të pasur e armatosur deri në dhëmbë. Lekë Ymeri, me një listë në dorë qëndronte jashtë gardhit, tek dera ku dy të burgosurit nuk pranuan të dilnin në punë, dhe filloj të lexonte emrat”
Ded Martini (DUSHI)
“Pastaj kanë thirrur Martin Sokolin dhe Sokol Sokolin, për të bërë një marrëveshje. Mes nesh ishte një vllazni ideale kundër diktaturës, atij gjenocidi të paparë. Edhe Sokoli ra në marrëveshje që do dorëzohemi. Thirrën listat me emrat që do arrestohen. Unë jam arrestuar i 6-ti.
Aty më pas nisi tortura në dhomën e torturave. Duhet përmendur dhe një personazh tjetër, që fatkeqësisht e vranë, por jo se kishte lidhje me revoltën, Sadri Sokolin, ai ishte burrë shteti, i nderuar. Nuk e di pse e vranë?! S’kishte lidhje me revoltën. E thirrën dhe e vranë.
Pas 3-4 orë barbarizëm, disa herë kam rënë pa ndjenja. Më hipën në makinë, dhe kur mbërritëm në Fushë-Arrëz më hodhën prej makine dhe isha pa ndjenja, vetëm ndjeja më pas kokën në gurët e oborrit që më tërhiqnin zvarrë. Mua më dinin për të vdekur, se menduan se më kishin mbytur. Edhe kështu përfunduam në burgun e Fushë-Arrëzit, edhe atje më torturuan.
Dhe filloi procesi i hetuesisë. U dënuan 12 vetë, 12 të tjerë mbetën pa u dënuar. Unë tërë trupin e kisha me plagë, sytë i kisha të mbyllur nga dhuna. Më thoshin; trego çfarë ke bërë, keni therë komisarin, edhe akuza ishte; organizatë politike për qëllime terroriste, që unë normalisht e mohova. Nga qesja e Dushit është marrë duhani që i është vendosur Kostës tek plaga. Atë ditë atij i kishte ardhur nëna për takim. Ajo as nuk e takoj e, as nuk e pa të birin i cili u torturua mizorisht”.
Bajram Vuthi
– “Në fund u detyruam të dorëzohemi. Të rrafme që na kanë ba, nuk mundem me shpjegu, kafshërisht, na maskrun! Se si kemi dal gjall vetëm ai atje nalt e din?! Në hetuesi na kanë torturu e, na shanin. Pyetjet kan qenë ma shumë për Tomën e për Sokolin, se aty e kishin pikësynimin. – “Kush e organizoj”? – “Çarë qëllimi kishit”? Pushkatimi i atyne dy djemve, që ishin ma trimat, më ka mbet peng në zemër për tanë jetën”. Memorie.al Nga Skënder Tufa