Matthaus për Ter Stegen: Mendoj se do të largohet nga Barça

- Bota Sot

Matthaus për Ter Stegen: Mendoj se do të largohet nga Barça

Ish-mesfushori i Interit, sot opinionist i “Sky Sport” në Gjermani, Lothar Matthäus, ka folur për situatën e Marc-André ter Stegen te Barcelona.

Pas ardhjes së Joan Garcia nga Espanyoli dhe rinovimit të mundshëm të Szczesny, situata për portierin gjerman komplikohet në prag të sezonit të ardhshëm.

Këto janë fjalët e fituesit të “Topit të Artë”: “Duke qenë se Szczesny me shumë gjasa do ta rinovojë kontratën, pres që Ter Stegen të largohet nga Barcelona. Galatasaray do të ishte një nga opsionet, ka treguar ambicie duke marrë Sané dhe do të luajë në Champions sezonin e ardhshëm.

Pastaj sezonin e ardhshëm do të jenë gjashtë klube angleze në Champions, por asnjëri prej tyre nuk ka një portier aq të fortë sa të thotë: Ne nuk kemi nevojë për Ter Stegen. Nuk e di cilat janë planet e Manchester City, por besoj se atje nuk janë shumë të kënaqur me Ederson. Mendoj se Ter Stegen mund të jetë portieri i Manchester City për tri ose katër vitet e ardhshme”.

Në fund, një lloj “këshille e tërthortë” nga Matthäus: “Situata e Ter Stegen te Barcelona është e pakëndshme për të.

Është kthyer në formë të shkëlqyer pas një dëmtimi të gjatë dhe, sidomos në ‘Nations League’ kundër Francës tregoi se është ende portier i nivelit më të lartë, edhe në moshën 33-vjeçare. Por Joan Garcia, i marrë nga Espanyoli, është 9 vite më i ri. Ai është tashmë pjesë e kombëtares spanjolle dhe pritet të jetë portieri i së ardhmes për Spanjën”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot