FIFA ka konfirmuar se protokollet janë ndjekur siç duhet gjatë incidentit që përfshiu Antonio Rudiger të Real Madridit dhe Gustavo Cabral të Pachucas, por deri tani nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për të konfirmuar abuzim racist.
Gjyqtari Ramon Abatti reagoi menjëherë pas ankesës së Rudigerit, duke përdorur gjestin zyrtar të FIFA-s për të sinjalizuar një incident të dyshuar për racizëm.
Meqenëse ngjarja ndodhi pas përfundimit të ndeshjes dhe nuk përfshinte tifozët, hetimet janë transferuar për shqyrtim pas ndeshjes.
Sipas rregullores së FIFA-s, çdo akt racizmi nga një lojtar ose trajner dënohet me të paktën 10 ndeshje pezullim. Megjithatë, pas analizimit të raportit të gjyqtarit dhe dëshmive të lojtarëve të përfshirë, FIFA ka pranuar se është shumë e vështirë të përcaktohet saktësisht çfarë është thënë. Rudiger ka këmbëngulur se është ofenduar në mënyrë raciste, ndërsa Cabral mohon akuzat dhe pretendon se është shprehur vetëm me fjalët: “Çohu, o frikacak i mallkuar.”
Për shkak të mungesës së provave audio ose video, çështja mbetet e pazgjidhur. Si precedent i fundit për raste të ngjashme përmendet rasti në Copa Libertadores, ku Bobadilla i Sao Paulos u pezullua për katër muaj për ofendime raciste ndaj Miguel Navarros të Talleres.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se racizmi “nuk është vetëm një shkelje, por një krim” dhe ka theksuar rëndësinë e krijimit të një kuadri ligjor global që do të lejonte veprime të përbashkëta mes futbollit dhe autoriteteve të rendit. Protokolli i rishikuar i FIFA-s tashmë u lejon jo vetëm gjyqtarëve, por edhe lojtarëve dhe stafit, të raportojnë drejtpërdrejt çdo sjellje të dyshuar raciste.