Qytetet në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore (ECA) kanë përjetuar një rritje të ndjeshme dhe të vazhdueshme të temperaturave në dekadat e fundit, e cila parashikohet të trefishojë numrin e dhjetëra mijëra vdekjeve ekzistuese që lidhen me nxehtësinë dhe të ulë PBB-në vjetore me rreth 2.5 përqind deri në vitin 2050, sipas një raporti të ri nga Banka Botërore dhe Fondi Global për Reduktimin dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë, të publikuar sot.
Raporti “Të pajetueshëm: Si mund të mbijetojnë dhe zhvillohen qytetet në Evropë dhe Azinë Qendrore në një të ardhme më të nxehtë”, thotë se numri i ditëve të nxehta në qytetet kryesore të rajonit, në të cilat jetojnë mbi 70% e popullsisë, mund të trefishohet deri në vitin 2050, me shumë qytete që ka të ngjarë të përjetojnë më shumë se 40-70 ditë të nxehta shtesë në vit, veçanërisht në Evropën Jugore dhe Turqi.
Sipas raportit, ndërtimet e dendura, bimësia e kufizuar dhe sipërfaqet që bllokojnë nxehtësinë kontribuojnë në një efekt të ishullit urban të nxehtësisë që i bën qytetet veçanërisht të cenueshme ndaj ndikimeve negative nga rritja e temperaturave.
“Ngjarjet e nxehtësisë ekstreme dërgojnë mijëra njerëz në dhomat e urgjencës, duke mbingarkuar spitalet dhe duke përkeqësuar sëmundjet kronike, veçanërisht për të moshuarit dhe njerëzit që jetojnë në komunitete me të ardhura të ulëta”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti, ekstremet e nxehtësisë u shkaktojnë qark të shkurtër dhe shterrojnë sistemet e transportit, tendosin rrjetet e energjisë, intensifikojnë thatësirat, rrisin rrezikun e zjarreve në pyje dhe përkeqësojnë cilësinë e ajrit, shton raporti.
“Ato gjithashtu ngadalësojnë punëtorët, zvogëlojnë orët e punës dhe ulin prodhimin, veçanërisht në sektorët e jashtëm si ndërtimi, transporti dhe turizmi. Për më tepër, pjesa më e madhe e infrastrukturës dhe stokut të banesave të rajonit, veçanërisht në Azinë Qendrore dhe pjesë të Evropës Lindore, është ndërtuar në mesin e shekullit të 20-të dhe u ka kaluar koha për renovim”, thuhet në njoftim.
"Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten dhe valët e të nxehtit bëhen më të zakonshme, qytetet në të gjithë rajonin po bëhen gjithnjë e më të pajetueshme, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe popullatat me të ardhura të ulëta", tha Sameh Ëahba,
Drejtor Rajonal i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. "Por qytetet gjithashtu mbajnë çelësat për veprime, si ato për investimet në mbjelljen e pemëve për mbulim më të madh dhe për pajisjen e shkollave, spitaleve dhe stokut të banesave me ftohje pasive."
Raporti gjithashtu vë në dijeni hapa të tjerë që qytetet mund të ndërmarrin tani për të minimizuar ndikimet negative nga rritja e temperaturës, të tilla si zhvillimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe shërbimeve të shëndetit publik që u përgjigjen nevojave, ofrimi i qendrave të ftohjes aty ku është më e nevojshme, përdorimi i materialeve tolerante ndaj nxehtësisë dhe përfshirja e motit ekstrem në planifikimin e infrastrukturës.
Raporti shton se suksesi varet nga mundësimi i veprimit lokal në kuadër të një sistemi më të gjerë dhe të koordinuar mirë.
"Qytetet dhe kryetarët e komunave po marrin drejtimin në hartimin, financimin dhe zbatimin e masave të rezistencës ndaj nxehtësisë, por ata kanë nevojë për mandate të qarta, financim të qëndrueshëm dhe koordinim të fortë me autoritetet kombëtare për të pasur sukses", tha Megha Mukim, Ekonomiste e Lartë e Urbanizmit në Bankën Botërore.
"Veprimi tani mund të ndihmojë në shpëtimin e jetëve dhe forcimin e prosperitetit në qytetet e rajonit Evropë dhe Azi Qendrore për dekadat e ardhshme", tha ai.