Me Edi Martinin në drejtim, Vllaznia synon të mos përsërisë gabimin e vitit të kaluar në Conference League, e eliminuar me humbjen 0-4 në Shkodër pas barazimit në Islandë.
Nga trajneri i ri prite disiplinë e shpirt luftarak në fushë, e mbi të gjitha mosnënvlerësim i kundërshtarit.
Vllaznia do të ndeshet me Daugavspils të Letonisë në 10 e 17 korrik për raundin e parë kualifikues në Conference League.
Në letër, kuqeblutë janë favoritë përballë skuadrës që aktualisht mban vendin e gjashtë në kampionatin letonez, me 15 pikë më pak se Riga kryesuese pas 19 javëve.
Por kush e mendon Vllazninë të kualifikuar pa zbritur ende në fushë bën gabimin më të rëndë dhe askush nuk e di më mirë se vetë skuadra shkodrane dhe trajneri i saj i ri, Edi Martini.
Vitin e kaluar, kuqeblutë e drejtuar nga Thomas Brdariç vinin plot besim në Shkodër pasi kishin barazuar 2-2 në Islandë me Valur Reijkjavik, por tifozët në Loro Boriçi bashkë me Brdariç në stol panë të tronditur se si skuadra e tyre u shkërrmoq 4-0 nga islandezët. Edhe Martini ka pasur një përvojë të ngjashme si trajner i Teutës në Conference League në 2021, kur mundej 2-0 në Niko Dovana nga Inter d’Escaldes i Andorrës, një kundërshtar që ndoshta e pritën me shpërfillje.
Në ndeshjen e kthimit, durrsakët fituan 3-0 dhe u kualifikuan, pasi nxorrën mësimin e madh që kundërshtari asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar. Është pikërisht kjo ajo që tifozët shkodranë presin nga trajneri i ri, krahas injektimit të shpirtit luftarak dhe agresivitetit në fushë, që Martini diti ta bënte më së miri te Teuta.
Për më tepër, ai ka marrë lojtarët e kërkuar, me të cilët edhe ka punuar më parë, duke ditur se çfarë mund të marrë prej tyre. Me talentet që ka, Vllaznia mund të ecë para në Evropë, por vetëm me qëndrimin me këmbë në tokë e pa i injektuar vetes besimin e tepruar dhe ndjenjën e superioritetit..