Pavel Nedved rikthehet në Çeki, merr postin e lartë në kombëtare

- Bota Sot

Pavel Nedved rikthehet në Çeki, merr postin e lartë në kombëtare

Pavel Nedved, legjendë e futbollit çek dhe ish-zëvendëspresident i Juventusit, rikthehet në vendlindje për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij. Federata Çeke e Futbollit ka zyrtarizuar sot emërimin e tij si drejtor teknik i të gjitha Kombëtareve, me një fokus të veçantë te përfaqësuesja A dhe ekipi U-21.

I shpallur fitues i Topit të Artë në vitin 2003, Nedved i kthehet futbollit pas një periudhe pushimi, pas largimit të tij nga Juventusi në vitin 2023.

Në deklaratën e parë si drejtues i futbollit çek, Nedved tregoi se fillimisht kishte planifikuar të kthehej në postin e tij në Arabinë Saudite te klubi Al Shabab, por kontaktet me presidentin e federatës, Trunda, dhe me anëtarët e komitetit ekzekutiv, Tvrdík dhe Šádek, ndryshuan gjithçka.

“Pas pushimeve do të kthehesha në Arabinë Saudite, por më kontaktoi presidenti Trunda dhe që në takimin e parë u ndjeva i vlerësuar. Ai kishte një vizion shumë të qartë për rolin tim dhe për të ardhmen e futbollit çek. Kuptova menjëherë që kjo ishte rruga e duhur. Jam shumë i motivuar dhe do të bëj gjithçka që të arrijmë suksesin,” – u shpreh Nedved.

Kthimi i tij në Çeki shihet si një injeksion energjie dhe vizioni për futbollin kombëtar, që ka nevojë për frymë të re dhe drejtim strategjik. Me eksperiencën e fituar në Itali dhe reputacionin ndërkombëtar, Pavel Nedved pritet të luajë një rol kyç në rilindjen e Kombëtares çeke, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ.

Rrugëtimi i ri ka nisur, Çekia ka marrë sërish në krah një nga figurat më të ndritura të historisë së saj futbollistike.



Lexoni të gjitha në Bota Sot