Policia Kombëtare Spanjolle ka arrestuar në Malaga një të ri 19-vjeçar, i cili kishte kërcënuar me vdekje futbollistin Alvaro Morata dhe familjen e tij nëpërmjet rrjeteve sociale. Kërcënimet erdhën pasi sulmuesi i përfaqësueses spanjolle gaboi një penallti vendimtare në finalen e Nations League ndaj Portugalisë, çka i kushtoi Spanjës trofeun.
Sipas autoriteteve, mesazhet ishin jashtëzakonisht të rënda dhe përfshinin edhe fëmijët e Moratës, duke krijuar një valë reagimesh në internet. Kërcënimet ishin bërë nga një llogari personale në një rrjet social të njohur, të cilën i riu e përdorte rregullisht.]
Vetëm dy ditë pas përhapjes së mesazheve, një person u paraqit në Komisariatin e Policisë në Malaga, duke pretenduar se llogaria e tij ishte vjedhur nga persona të panjohur dhe se nuk kishte lidhje me kërcënimet.
Por gjatë hetimeve, njësia për krime kibernetike e Policisë zbuloi mospërputhje në dëshminë e të riut dhe dyshimet u shtuan se ai po përpiqej të krijonte një alibi të rreme për t’u shkëputur nga ngjarja.
Pas analizës së telefonit të tij, hetuesit zbuluan prova të qarta që konfirmonin se i riu ishte autori i vërtetë i kërcënimeve. Mesazhet e ruajtura dhe aktivitetet në llogaritë e tij rrëzonin pretendimin për "vjedhje" të llogarisë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës verbale dhe kërcënimeve online ndaj sportistëve, veçanërisht pas humbjeve apo gabimeve vendimtare. Alvaro Morata, i prekur nga sulmet, kishte reaguar pas finales duke thënë: “Gabova sërish, siç mund të gabojë çdo njeri në jetë.”
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Alice Campello, ka thyer heshtjen duke shprehur shqetësimin për sigurinë e familjes së saj dhe duke dënuar ashpër sulmet në rrjetet sociale.