Vllaznia mposhtet nga skuadra sllovene

- Bota Sot

Vllaznia mposhtet nga skuadra sllovene

Vllaznia ka nisur me humbje fazën përgatitore në tokën sllovene, duke u mposhtur me rezultatin 5-3 nga FC Koper, në një miqësore me ritëm të lartë dhe gabime të theksuara në mbrojtje.

Megjithatë, ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për kuqeblutë: vetëm në minutën e 5-të, braziliani Andrey Yago lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke befasuar portierin vendas dhe duke kaluar Vllazninë në avantazh.

Por gëzimi zgjati pak. FC Koper reagoi në minutën e 19-të me një goditje standarde, ku pas një krosimi, një prej lojtarëve vendas goditi saktë me kokë, duke e çuar rezultatin në 1-1, shifra me të cilat u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë nisi me spektakël nga vendasit. Një roveshatë fantastike i dha epërsinë Koperit, por Kevin Dodaj barazoi shpejt në 2-2, duke shënuar nga brenda zonës pas një aksioni të mirë të skuadrës.

Më pas, një moment i dyshimtë në zonën shkodrane, një prekje me dorë e Yagos, solli një penallti për Koperin, që u kthye në gol për 3-2. Vendasit nuk u ndalën dhe shënuan edhe golin e katërt, përpara se Ildi Gruda të ngushtonte rezultatin në 4-3, sërish nga pika e bardhë.

Sidoqoftë, minuta e 83-të vulosi fatin e ndeshjes. Mbrojtja e Vllaznisë u gjend në befasi dhe FC Koper realizoi golin e pestë, duke mbyllur takimin me fitore 5-3.

Trajneri Edi Martini e nisi formacionin me: Qarri, Kouro, Jazxhi, Bajrami, Kruja, Yago, Krymi, Qato, Mala, Dodaj dhe Balaj, ndërsa në pjesën e dytë aktivizoi edhe pjesën tjetër të skuadrës, duke testuar alternativat për sezonin e ri.

Për Vllazninë, kjo ishte një miqësore me ritëm të lartë, por që tregoi se ka ende shumë punë për të bërë, sidomos në repartin e mbrojtjes.



Lexoni të gjitha në Bota Sot