Luka Modriç e ka mbajtur për një kohë numrin 10 tek Real Madridi në fanellën e tij.
Por, legjenda kroate do të largohet nga “Los Blancos” pas përfundimit të këtij sezoni.
Dhe, numrin që do ta lë bosh ish-futbollisti i Tottenhamit, sipas të gjitha gjasave do ta marrë Kylian Mbappe.
Për këtë siguron mediumi spanjoll “Marca".
Gjiganti spanjoll konsideron se ky numër ikonik do ta përmirësojë imazhin e përfaqësuesit francez, i cili është edhe yll i ekipit.
Mbappe e kaloi një vit pozitiv në nivelin personal në “Santiago Bernabeu”, ndërsa e kishte zgjedhur numrin 9, të cilin e kishte liruar paraprakisht Karim Benzema.
Ish-futbollisti i Monacos dhe i Paris Saint-Germainit i realizoi 43 gola në fanellën e bardhë duke u shpallur kështu golashënuesi më i mirë në Spanjë dhe në Evropë.
Por, fatkeqësisht në nivelin ekipor nuk ia doli të kishte suksese me trajnerin Carlo Ancelotti, i cili u pasua në këtë verë nga Xabi Alonso.