Duka flet për Kombëtaren: Luftojmë që të jemi në garë kualifikimi deri te Anglia

- Bota Sot

Duka flet për Kombëtaren: Luftojmë që të jemi në garë kualifikimi deri te Anglia

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF 2025 mbajti punimet këtë të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit, duke bërë bashkë të gjitha strukturat përfaqësuese të futbollit shqiptar. Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, në këtë Asamble morën pjesë jo vetëm përfaqësuesit e shoqatave anëtare, por nderuan me praninë e tyre edhe përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, përfaqësuesi i UEFA-s, Jozef Kliment si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Ogerta Manastirliu.

Kreu i FSHF u ndal pak më gjatë te pjesa e Kombëtares, teksa theksoi se nuk kërkon heroizma kur Shqipëria fiton, ashtu si edhe nuk kërkon që të teprohet më shumë kur Shqipëria humbet, për të shkuar në etiketimet si “tradhtar”.

Duka theksoi se qëllimi i Shqipërisë është për të luajtur garën e kualifikimit në Botëror në ndeshjen e fundit me Anglinë në shtëpinë tonë.

“Në pjesën e dytë të vitit, Kombëtarja mori pjesë për herë të dytë në ligën B në UEFA Nations League, në një grup të balancuar me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Deri në ndeshjen e fundit ndaj Ukrainës, kishim mundësinë reale për të fituar grupin, por një rezultat pozitiv na mungoi në momentin vendimtar.

Përfundimisht, u renditëm në vendin e katërt me 7 pikë, një kuotë më e lartë se çdo skuadër tjetër e renditur në vendin e katërt në grupet e Ligës B. Ky edicion tregoi nivel të lartë konkurrues dhe, ndonëse nuk arritëm objektivin, mbetëm në garë deri në sekondat e fundit, në një grup ku gjithçka vendosej në detaje.

Kualifikueset për Botërorin USA 2026 na vendosen përballë një grupi tepër të vështirë me kundërshtarë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra ku pas katër ndeshjesh kemi grumbulluar 5 pikë dhe jemi në vendin e dyte. Në sfidat me Serbinë dhe Letoninë treguam karakter, guxim dhe cilësi, edhe pse rezultati nuk reflektoi plotësisht atë që dhamë në fushë.
Jemi ende në garë, tashmë jo më si favoritë dhe plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë që na presin.

Por ekipi do të luftojë deri në ndeshjen e fundit kundër Anglisë në Tiranë, duke shpresuar fort që ajo të jetë një finale vendimtare. Kam besim të plotë te futbollistët tanë, te stafi teknik dhe administrativ i FSHF-së, por edhe te publiku që na mbështet pa kursim.
Jam thellësisht mirënjohës dhe do t’u jem përjetësisht falënderues djemve të ekipit kombëtar për emocionet e paharrueshme që na kanë dhuruar.

As ata dhe as ne nuk kërkojmë të quhemi “heronj” kur fitojmë, por as “tradhtarë” kur humbasim, sidomos nga ata që i japin të drejtën vetes të të quajturit “patriotë”. Jemi thjesht një skuadër që jep maksimumin në një lojë të bukur, ku fitorja, barazimi apo humbja janë pjesë e saj. Kritika është e natyrshme pas një humbjeje, por nuk duhet të bëhet një rast i pritur me padurim për të zbrazur mllefin në emër të nacionalizmit dhe patriotizmit.

Mbase u ndala pak më gjatë te Kombëtarja A, por viti 2024 ka qenë po aq dinamik dhe i frytshëm edhe për kombetaret e tjera , ku janë evidentuar hapa solide përpara në të gjitha nivelet”, tha Duka..



Lexoni të gjitha në Bota Sot