Talentit turk i dyfishohet paga

- Bota Sot

Talentit turk i dyfishohet paga

Kenan Jildiz po shndërrohet gjithnjë e më shumë në shtyllë të projektit të së ardhmes te Juventusi. Sulmuesi i ri turk po shkëlqen në arenën ndërkombëtare, duke treguar klasin e tij edhe në Kupën e Botës për Klube, ku ka realizuar tre gola në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve.

Performanca që konfirmojnë jo vetëm rritjen e tij gjatë sezonit të fundit, por edhe rëndësinë që po fiton brenda skuadrës bardhezi. Juventusi ka reaguar shpejt ndaj progresit të Jildiz, duke rinovuar së fundmi kontratën e tij deri në vitin 2029, me një pagë prej 1.5 milionë eurosh në sezon. Por kjo nuk mjafton.

Sapo të përfundojë turneu në Amerikë, drejtori i përgjithshëm Komoli do të nisë negociatat me agjentët e futbollistit për një tjetër zgjatje kontrate, këtë herë deri në vitin 2030.

Klubi torinez është i gatshëm të dyfishojë pagën e 19- vjeçarit në 3 milionë euro, ndërsa përfaqësuesit e lojtarit kërkojnë 5 milionë euro në sezon. Gjithsesi, gjasat janë që palët të takohen në një mes të përbashkët, me një marrëveshje që mund të mbyllet rreth shifrës 4 milionë euro. Objektivi është i qartë: të blindojnë përfundimisht numrin 10 të Juventusit, i cili ka rigjetur formën më të mirë nën drejtimin e trajnerit Tudor.

TUDOR- “Kenan e do futbollin dhe dëshiron të luajë gjithmonë.

Ka shpërthim dhe ide, por edhe një mentalitet prej kampioni. Çelësi është mendja. Ka cilësi dhe punon fort si një mesfushor. Dhe për më tepër, është një djalë i shkëlqyer. Do të jetë vetë ai që do të vendosë deri ku mund të arrijë. A duhet të kemi frikë nga interesimi i klubeve të mëdha?

Mund të ndodhë, por është ende i ri”, është shprehur Tudor më herë për talentin turk. Për Juventusin, Kenan Jildiz përfaqëson të ardhmen dhe tashmë është kthyer në një nga simbolet më premtuese të brezit të ri bardhezi.

Me një projekt afatgjatë dhe mbështetje të plotë, sulmuesi turk është i gatshëm të shkruajë historinë e tij në “Allianz Stadium”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot