Me qëllim për të “përmirësuar funksionimin e skuadrave elitare” Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur sot në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme që të shpërndajë 3 milionë euro skuadrave të Abissnet Superiore dhe atyre të Kategorisë së Parë.
“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe në vitin 2026, të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, tha në fjalën e tij Armand Duka.
Presidenti i FSHF foli edhe ndryshimi i ligjit për sportin propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, duke bërë thirrje që të merren parasysh kërkesat e ekspertëve të qeverisë së futbollit.
“Ai ligj i propozuar synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional. Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj.
Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit!”, arsyetoi Duka. Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Sportit,
Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e futbollit si sporti më i dashur për shqiptarët dhe veçoi organizimin e suksesshëm të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëria 2025”, për herë të parë në vendin tonë.