Amazon do të investojë dyzet miliardë funte në Britaninë e Madhe, sipas ANSA.
Kryeministri Keir Starmer, i cili u takua javën e kaluar me drejtorin ekzekutiv të grupit, Andy Jassy, e quajti këtë investim trevjeçar (një pjesë e të cilit ishte tashmë e njohur) një "fitore e madhe" dhe një "votë besimi" për Britaninë e Madhe, raporton KosovaPress.
“Kjo do të thotë mijëra vende të reja pune: mundësi të vërteta për njerëzit në çdo cep të vendit për të ndërtuar karriera, për të mësuar aftësi të reja dhe për të mbështetur familjet e tyre. Qoftë në fushën e inteligjencës artificiale më të avancuar apo në dërgesat brenda ditës, kjo marrëveshje tregon se Plani ynë për Ndryshim po funksionon: po tërheq investime, po nxit rritjen dhe po vendos më shumë para në xhepat e njerëzve”, tha Starmer.
Premtimi vjen ndërsa qeveria laburiste po përballet me vështirësi për të përmbushur premtimin për të nxitur rritjen ekonomike mes tarifave amerikane, tensioneve gjeopolitike dhe kritikave të brendshme ndaj politikave të saj ekonomike, me rritjen e taksave dhe investimet publike që kundërshtohen si jorealiste nga opozita.
Dyzet miliardë funte do të përdoren për të ndërtuar katër qendra shpërndarjeje, duke krijuar rreth katër mijë vende pune, dhe për të rinovuar studiot historike Bray Film Studios, të cilat Amazon i bleu në korrik të vitit dymijenjëzetekatër.
Në dhjetor, Amazon nënshkroi marrëveshje me Games Workshop, kompaninë britanike që zotëron të drejtat për "Warhammer", për të prodhuar filma dhe seri televizive bazuar në këtë univers fantastiko-shkencor.