Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, e nis aventurën europiane për sezonin 2025-2026 ndaj islandezëve të Breidablik.
Ky ballafaqim me kampionët e Islandës është i vlefshëm për turin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve.
UEFA së fundmi ka vendosur edhe gjyqtarët që do të gjykojnë Egnatian në dy ndeshjet e turit të parë të Championsit. Në ndeshjen e parë, Egnatia-Breidablik, që do të luhet më 8 korrik ora 21:00 në stadiumin “Arena Egnatia”, drejtësinë do ta vendosin një treshe gjyqtarësh nga Bosnjë dhe Hercegovina.
Kryesor i këtij takimi është 35-vjeçari Antoni Bandiç, i cili do të ndihmohet nga asistentët Amir Kadiç dhe Nebojsha Zhugiç. Arbitër i katërt është Antonio Tomiç, ndërsa në VAR është Nihad Ljajiç.
Të pesë gjyqtarët janë boshnjakë. Vlen të përmendet se gjyqtari kryesor, Antoni Bandiç, nuk ka eksperiencë të madhe në gjykimin ndërkombëtar, por cilësohet si një arbitër i perspektivës. Ndryshe qëndron puna në ndeshjen e kthimit, Breidablik-Egnatia, që do të luhet më 15 korrik ora 21:00 në Islandë, ku drejtësinë do ta vendosin një trupë gjykuese nga Skocia.
Kryesor i këtij takimi është 45-vjeçari David Dikinson, i cili me profesion është inxhinier ndërtimi dhe me eksperiencë në arenën ndërkombëtare si arbitër. Dy asistetnët të tij në këtë takim janë Francis Konor dhe Xhonatan Bell. Arbitër i katërt është Llojd Uilson. Në VAR është skocezi tjetër, Kevin Klancy. Të dy gjyqtarët kryesorë e kanë për herë të parë në karrierën e tyre gjykimin e një ekipi shqiptar.