Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së për vitin 2025 u mbajt këtë të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u bashkuan përfaqësues të futbollit shqiptar, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv dhe të ftuar ndërkombëtarë nga FIFA dhe UEFA, si dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Në fjalën e tij, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, bëri një deklaratë të fortë lidhur me kritikat që përcjellin ekipin kombëtar, përcjellë kp.
“As ata dhe as ne nuk kërkojmë të quhemi ‘heronj’ kur fitojmë, por as ‘tradhtarë’ kur humbasim, sidomos nga ata që i japin të drejtën vetes të quajturit ‘patriotë’,” – tha Duka, duke theksuar se kombëtarja është një skuadër që jep maksimumin në një lojë ku çdo rezultat është i mundshëm.
Ai u bëri thirrje opinionit publik të mos shfrytëzojë humbjet si justifikim për të hedhur baltë, duke theksuar se kritika është e pranueshme, por nuk duhet të përdoret për të mbjellë ndasi në emër të patriotizmit.