Vetëm dy ditë më parë, Igli Tare u shpreh kështu për merkaton e Milanit: “Prioriteti në këtë moment është mesfusha, për të rritur cilësinë e lojës, siç është kërkuar nga Allegri”.
Nga fjalët te faktet, mund të thuhet me plot gojën, sidomos pas shitjes së madhe të Reijnders te Manchester City. Nëse marrëveshja me Modric ishte mbyllur prej ditësh dhe do të bëhet zyrtare pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, që kroati po zhvillon me Real Madridin, në pak kohë kanë shpërthyer menjëherë, në rend kronologjik, tratativat për Granit Xhaka, Samuele Ricci dhe Ardon Jashari.
Aktualisht, marrëveshja më e avancuar duket ajo për kapitenin e Torinos, prej kohësh në shënjestrën e kuqezinjve dhe që në orët e fundit ka pësuar përshpejtim të ndjeshëm. Sipas raportimit të Alfredo Pedullà, kërkesa fillestare e Torinos ishte 30 milionë euro, por tani është ulur në 28 milionë euro, me bonuset e përfshira.
Milani po punon për ta ulur më tej çmimin, por ndërkohë ka arritur tashmë marrëveshje të plotë me lojtarin. Për Ricci interesohen gjithashtu Interi, që deri tani nuk ka ndërmarrë hapa konkretë, edhe Atalanta, në rast se largohet Ederson.
Ricci e ka kaluar në listë Xhakën, i cili fillimisht dukej si një operacion i lehtë për t’u realizuar. Megjithatë, në orët e fundit ka ardhur një “stop” nga Bayer Leverkusen.
“Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë negociatë me Milanin”. Kështu deklaroi Simon Rolfes për të përditshmen gjermane “Kicker”, duke shuar zërat për një transferim të mundshëm të shqiptaro-zviceranit te Milani.
“Nuk kemi asnjë ide për ta shitur Xhakën. Graniti është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, – saktësoi drejtuesi i Bayer Leverkusen.
Orët dhe ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Bayer do të hapet për negociata dhe nëse Milani do të paraqesë më pas një ofertë zyrtare.
Pastaj është edhe rasti i talentit të Club Brugge, për të cilin në Belgjikë flitet shumë mirë, por që vlerësohet 40 milionë euro. Milani deri tani ka ofruar 27 milionë euro + 3 milionë bonuse, por diferenca është ende e madhe. Duhet parë nëse Brugge do t’i ulë pretendimet për mesfushorin e vitlindjes 2002.