Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje parash – ia sekuestron pasurinë rreth 400 mijë euro

- Gazeta e Prizrenit

Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje parash – ia sekuestron pasurinë rreth 400 mijë euro
Prokuroria Speciale ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit G.S. për veprën penale “shpëlarje e parasë”, sipas nenit 56, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas aktakuzës, G.S. akuzohet se gjatë periudhës 2019-2023, duke qenë i vetëdijshëm se shuma prej 898,937.84 euro ka buruar nga veprimtaria kriminale, ai e ka pranuar dhe menaxhuar këtë pasuri me qëllim që ta fshehë apo maskojë natyrën, burimin, disponimin, lëvizjen dhe pronësinë e saj. Kjo është realizuar përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Përveç të pandehurit, në aktakuzë është përfshirë edhe personi juridik “G.S. I.S.”, pasi Prokuroria Speciale dyshon se ky biznes është themeluar dhe përdorur nga i pandehuri për të qarkulluar mjetet dhe maskuar produktet e aktivitetit kriminal.


Pjesë e aktakuzës është edhe prona që është objekt i pastrimit të parave, përfshirë pesë parcela tokësore me vlerë rreth 355,800 euro, të cilat janë sekuestruar nga Gjykata me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu, është propozuar që prona të konfiskohet pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Prokuroria Speciale ka propozuar që ndaj personit juridik të shqiptohet dënim me gjobë dhe sanksion penal “Pushimi i personit juridik”, ndërsa ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim plotësues “Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë” për llojin dhe veprimtarinë që ka ushtruar si person përgjegjës i personit juridik të përmendur.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit