Sllovakia nuk mbështet sanksionet e reja ndaj Rusisë

- Bota Sot

Sllovakia nuk mbështet sanksionet e reja ndaj Rusisë

Sllovakia nuk do të mbështesë një paketë të re sanksionesh të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe do të kërkojë një shtyrje të votimit derisa të zgjidhen shqetësimet e Sllovakisë në lidhje me furnizimet me gaz pas vitit 2027, tha sot kryeministri Robert Fico.

Komisioni Evropian propozoi sanksione të reja kundër Rusisë më 10 qershor për pushtimin e Ukrainës më shumë se tre vjet më parë, duke synuar sektorin e energjisë, bankat dhe industrinë ushtarake të Rusisë.

Fico përsëriti pikëpamjen e tij se sanksionet e reja mund të çojnë në probleme furnizimi dhe rritje çmimesh, si dhe deri në 20 miliardë euro humbje për shkak të shkeljes së një kontrate afatgjatë me furnizuesin rus Gazprom.

"Sllovakia nuk do të votojë për paketën e 18-të të sanksioneve nesër", i tha ai një komisioni parlamentar të enjten para se të nisej për në samit.

Fico u takua me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të enjten, por nuk dihej nëse ai kishte ndryshuar qëndrimin e tij.

Sanksionet kërkojnë unanimitet nga blloku për tu miratuar. Hungaria ka kërcënuar rregullisht se do të refuzojë miratimin e saj gjatë diskutimeve mbi ndihmën për Ukrainën, si dhe mbi rinovimin e sanksioneve, të cilat zhvillohen çdo gjashtë muaj.

Sllovakia dhe Hungaria kundërshtuan sanksionet sepse nuk ishin dakord me propozimin e Komisionit për të ndaluar importet e produkteve ruse të energjisë deri në fund të vitit 2027, gjë që do ti detyronte të dy vendet të kërkonin alternativa. Diplomatët evropianë thanë se prisnin që çështja të zgjidhej në një samit të BE-së në Bruksel, raporton KosovaPress.



Lexoni të gjitha në Bota Sot