Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale.
Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Arbnora Luta konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se Berishaj u intervistua në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij idhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
“Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, konfirmoi Luta.
Në anën tjetër, avokati i tij- Tomë Gashi përmes rrjetit social Facebook, tha se Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese në Prokurori.“Per ti ndihmuar Prokurorise Speciale te Kosoves sot zotni Martin Berishaj ka dhene deklarat sqaruese me te cilen ne besojme qe i ka ndihmuar Prokurorise per te eliminuar çdo dyshim per aferen e ndertuat nga gazetari serb i aferm me sherbimin sekret te Serbis me qellim te demtimit te reputacionit te Profesorit Martin Berisha i cili eshte hale ne sy te serbis edhe te disave qe me vetedije apo pa vetedije i shtyjn agjendat e Serbis”, thuhet ndër të tjera në postimin e Gashit.
Kujtojmë se Berishaj ishte intervistuar edhe në mars të vitit të kaluar për të njëjtat vepra penale.
Në korrik të 2023-ës, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se në hetimet e Task Forcës Anti-korrupsion ndaj ambasadorit janë të përfshira shtetet si Kosova, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi dhe Sllovenia.