Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan sot konkluzionet mbi angazhimin e tyre për ndihmë ushtarake dhe anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në familjen e madhe evropiane, pa mbështetjen e Hungarisë.
Këshilli Evropian bëri thirrje për rritje të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë dorëzimin urgjent të sistemeve të mbrojtjes ajrore, pajisjeve kundër dronëve dhe municioneve të kalibrit të madh në përgjigje të sulmeve të intensifikuara ruse.
Në konkluzionet e miratuara në samit, udhëheqësit kërkuan bashkëpunim më të thellë midis Ukrainës dhe industrisë evropiane të mbrojtjes.
Liderët evropianë theksuan se "çdo paqe e qëndrueshme duhet të shoqërohet me garanci të forta dhe të besueshme sigurie për të parandaluar agresionin e ardhshëm rus, duke thënë: "Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare janë të gatshme të kontribuojnë në garancitë e sigurisë, në veçanti duke mbështetur aftësinë e Ukrainës për të penguar agresionin dhe për të mbrojtur veten në mënyrë efektive, bazuar në kompetencat dhe aftësitë e tyre përkatëse, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare".
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua takimit nga distanca.
Udhëheqësit e BE-së përsëritën mbështetjen e tyre të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar në konfliktin më shumë se trevjeçar.
Këshilli riafirmoi mbështetjen e tij për rindërtimin e Ukrainës dhe pranimin në BE, transmeton Anadollu.
Duke vlerësuar përparimin e Ukrainës në reformat në kushte lufte, udhëheqësit inkurajuan Kievin dhe Komisionin Evropian të përparojnë procesin e anëtarësimit.
Përfundimet u miratuan pa mbështetjen e Hungarisë, tha një zyrtar i Bashkimit Evropian. Më herët sot, kryeministri hungarez Viktor Orban shprehu kundërshtim ndaj pranimit të mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian.