Al-Hilal i Arabisë Saudite u bë skuadra e vetme nga Azia që arriti në fazat eliminatore të Kupës së Botës për Klube, pas një fitoreje 2-0 ndaj Pachuca-s të enjten. Me këtë triumf, ata e mbyllën Grupin H pa humbje dhe siguruan një përballje në raundin e 16-tave kundër kampionëve të Evropës, Manchester City.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Simone Inzaghi tregoi konkurrencë të lartë, duke barazuar në dy ndeshjet e para me Real Madridin dhe Red Bull Salzburgun – rezultate që konfirmojnë nivelin e lartë të ekipit, përcjellë KosovaPress.
Në tre ndeshjet e fazës së grupeve, Al-Hilal pësoi vetëm një gol, duke ndarë rekordin më të mirë mbrojtës të turneut me Paris Saint-Germain dhe Monterrey.
“Qëllimi ynë ishte të ishim pjesë e grupit të ekipeve më të mira në botë,” tha Inzaghi pas ndeshjes. “Nuk ishte një detyrë e lehtë, por skuadra ishte shumë e bashkuar. Luftoi fort gjatë tre ndeshjeve për një objektiv të madh. Nuk erdhëm këtu vetëm për t’u argëtuar, por për të konkurruar për një Kupë Bote.”
“Tani do të luajmë kundër Manchester Cityt, një nga ekipet më të mëdha në botë. Këto janë ndeshje që të ndihmojnë të përmirësohesh dhe të piqesh si skuadër. Jam shumë krenar.”, shtoi ai.
Al-Hilal, në pronësi të shumicës nga Fondi Publik i Investimeve të Arabisë Saudite, ka përforcuar ndjeshëm skuadrën në dy vitet e fundit me emra të njohur si Neymar, Malcom, Ruben Neves, Marcos Leonardo dhe Aleksandar Mitrovic.
Edhe pse Neymar është larguar nga klubi dhe Mitrovic mungon për shkak të një dëmtimi në pulpë, thellësia e skuadrës ka bërë të mundur që Al-Hilal të përballojë me sukses presionin e këtij kompeticioni prestigjioz.