Stërvitjet ushtarake që u mbajtën afër Bujanocit “konfirmojnë bashkëpunimin ushtarak SHBA-Serbi”

- Bota Sot

Stërvitjet ushtarake që u mbajtën afër Bujanocit “konfirmojnë bashkëpunimin ushtarak SHBA-Serbi”

Stërvitjet ndërkombëtare ushtarake “Ujku Platin 25”, që u mbajtën në jug të Serbisë “konfirmojnë bashkëpunimin ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, tha më 27 qershor Ambasada amerikane në Beograd.

“Këto ushtrime janë gurthemel i bashkëpunimit tonë dypalësh dhe prioritet i rëndësishëm për ushtrinë serbe, ashtu edhe për atë amerikane”, tha Paul Jukiq, ushtrues detyre i zëvendësshefit të misionit të Ambasadës amerikane.

Stërvitjet taktike u zhvilluan në bazë ushtarake “Jug” afër Bujanocit në jug të Serbisë, nga 12 deri më 27 qershor, nën organizimin e Ushtrisë së Serbisë me mbështetjen e Komandës Evropiane të Forcave të Armatosura të SHBA-së.

Në këtë ushtrim morën pjesë mbi 700 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe të forcave të armatosura nga Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Italia, Hungaria, Rumania, Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ky është ushtrimi më i madh ushtarak ndërkombëtar që është mbajtur në territorin e Serbisë që nga viti 2014, dhe bën përjashtim nga një vendim i Qeverisë serbe për moratorium mbi mbajtjen e ushtrimeve ushtarake me partnerë të huaj.

Ky moratorium u vendos në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës fqinje.

Paul Jukiq tha se ky ushtrim për operacione paqeruajtëse luan një rol kyç në përmbushjen e kërkesave për trajnim dhe përgatitjen e forcave për misione paqeruajtëse në kushte reale.

“Shpresojmë që ushtrimi ‘Ujku Platin’ të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, si dhe që do të gjejmë mënyra të reja për t’u dhënë sfida forcave tona të armatosura, për të përmirësuar aftësitë e tyre dhe për të rritur nivelin e gatishmërisë së tyre”, theksoi ai.

Komandanti i Forcave Tokësore të Gardës Kombëtare të Ohajos, gjenerali Jeffrey Watkins, tha se është mirënjohës për mundësinë që pjesëtarët e forcave të armatosura të SHBA-së morën pjesë në këto stërvitje së bashku me ushtarakët nga Serbia.

“Është e rëndësishme të ushtrojmë së bashku për të parë se cilat janë aftësitë tona, të përdorim pajisjet bashkë dhe të ushtrojmë taktikat, teknikat dhe procedurat. Siç mundët të shihni gjatë ushtrimeve, po ndërtojmë kohezion dhe ekipe të forta mes pjesëmarrësve”, deklaroi gjenerali Watkins.

Siç theksoi Ambasada amerikane në Beograd, për herë të parë në këtë stërvitje morën pjesë edhe pjesëtarë të Organizatës Ndërkombëtare të Forcës Ushtarako-Mjekësore të Ballkanit.

Sipas ambasadës, qëllimi i ushtrimit është përmirësimi i ndërveprueshmërisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes forcave të armatosura të vendeve partnere, përmes trajnimit për operacione paqeruajtëse në një mjedis shumëkombësh.

“Pjesëmarrësit patën mundësinë të ushtroni taktika, teknika dhe procedura që zbatohen gjatë angazhimit në operacione paqeruajtëse. Sigurimi i bazës dhe konvojeve, patrullimi, ngritja e pikave të kontrollit dhe kërkimi në terren ishin vetëm disa nga aktivitetet e parashikuara në skenarin e ushtrimit”, u tha në njoftim./REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot