Ushtria ukrainase godet katër avionë bombardues rusë në bazën ajrore të Marinovkës, sulmi i Moskës në qytetin e Samarit plagos 25 persona

- Bota Sot

Ushtria ukrainase godet katër avionë bombardues rusë në bazën ajrore të Marinovkës, sulmi i Moskës në qytetin e Samarit plagos 25 persona

Ushtria e Ukrainës njoftoi të premten se ka goditur me sukses katër avionë bombardues Su-34 në bazën ajrore të Marinovkës, në rajonin e Volgogradit, rreth 900 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Sipas një deklarate në Telegram, operacioni u krye nga forcat speciale të ushtrisë ukrainase në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe njësi të tjera ushtarake.

“Sipas informacionit paraprak, janë goditur katër avionë, konkretisht Su-34, si dhe objekte teknike dhe operative ku riparohen dhe mirëmbahen avionë luftarakë”, thuhet në deklaratën zyrtare. Nuk ka ende asnjë reagim nga pala ruse për sulmin.

Ushtria ukrainase e përshkroi avionin Su-34 si mjeti kryesor i Rusisë për sulme ajrore mbi territorin ukrainas. Guvernatori i Volgogradit, Andrei Bocharov, konfirmoi se rajoni Kalanchyovsky, ku ndodhet baza e Marinovkës, ishte një nga tre zonat e sulmuara nga dronët ukrainas.

Ai njoftoi gjithashtu për kufizime të përkohshme të trafikut në urën mbi lumin Don.

Sulm raketor rus në qytetin ukrainas Samar – 5 të vrarë dhe 25 të plagosur
Në një tjetër zhvillim tragjik, një sulm raketor rus goditi qytetin industrial të Samarit në juglindje të Ukrainës, duke lënë të paktën pesë të vrarë dhe 25 të plagosur.

Sulmi ndodhi të premten dhe ishte goditja e dytë ndaj këtij qyteti brenda tre ditësh. Guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, konfirmoi se të paktën katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spital. Nuk janë dhënë ende detaje mbi dëmet materiale.

Kherson përgatitet për ndërprerje të zgjatura të energjisë

Në rajonin e Khersonit, autoritetet paralajmëruan për ndërprerje të gjata të energjisë pas një sulmi rus që goditi një objekt kyç energjetik.

Guvernatori Oleksandr Prokudin njoftoi se disa zona kanë mbetur pa energji dhe se situata është e vështirë për shkak të afërsisë me vijën e frontit.

Rusia pretendon marrjen e një fshati në rajonin Kharkiv

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se trupat e saj kanë marrë kontrollin e fshatit Nova Kruhlyakivka në rajonin lindor të Kharkivit. Ky informacion u raportua nga agjencia shtetërore ruse TASS dhe nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.



Lexoni të gjitha në Bota Sot