Klopp sulmon hapur Botërorin e Klubeve

- Bota Sot

Klopp sulmon hapur Botërorin e Klubeve

Ish-trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp, ka nisur një sulm të ashpër ndaj formatit të ri të Kupës së Botës për Klube, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.

I intervistuar nga gazeta gjermane Die Welt, Klopp shprehu shqetësimin e tij për kalendarin e mbingarkuar, duke e quajtur garën “çmenduri absolute” dhe “idenë më të keqe të zbatuar ndonjëherë në futboll”.

Sipas trajnerit gjerman, turneu nuk bën gjë tjetër veçse i ngarkon më tej lojtarët që janë tashmë të shtrydhur nga një ritëm i vazhdueshëm: “E kuptoj që për disa klube paratë janë shumë të rëndësishme, por nuk është kështu për të gjithë. Lojtarët nuk kanë më kohë të rikuperohen, as fizikisht dhe as mendërisht.

Vitin e kaluar ishte Kupa e Amerikës dhe Kampionati Europian, këtë vit Kupa e Botës për Klube dhe vitin tjetër Kupa e Botës. Kur duhet të pushojnë?”.

Ai kujtoi gjithashtu deklaratat e fundit të Rafinjas, i cili kishte kërkuar më shumë respekt për futbollistët, duke theksuar se “edhe ata që fitojnë shumë kanë të drejtë të ndalen”. Ai më pas bëri një krahasim të drejtpërdrejtë: “Një lojtar i NBA-së fiton shumë dhe pushon katër muaj në vit. Vërxhil Van Dajk nuk ka pasur kurrë një pushim të tillë, as ato paga”.

Ish-trajneri i të kuqve është më i shqetësuar për ndikimin në shëndetin e lojtarëve:

“Kam frikë nga një valë lëndimesh të papara më parë. Ata pritet të luajnë çdo ndeshje sikur të ishte një finale, 70 ose 75 herë në vit. Nuk mund të vazhdosh kështu.

Pa pushime, edhe produkti humbet vlerë”.

Së fundmi, gjermani përfundoi me një kujtim emblematik të përvojës së tij në stol:

“Në të gjithë karrierën time, vetëm një herë kam pasur një përgatitje dy javë e gjysmë me të gjithë ekipin në dispozicion. Pastaj luanim çdo tre ditë për një vit të tërë. Është çnjerëzore”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot