Tensionet në Serbi janë përshkallëzuar të shtunën, ku rreth 140 mijë protestues anti-qeveritarë janë përplasur me forcat policore në qendër të Beogradit.
Turma e madhe, e udhëhequr kryesisht nga studentë, ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke shënuar protestën më masive në muajt e fundit.
“Duam zgjedhje!”, brohorisnin protestuesit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe granata shokuese për t’i shpërndarë. Dhjetëra persona janë arrestuar.
Presidenti Vuçiq i ka cilësuar protestuesit si pjesë e një “komploti të huaj” që synon përmbysjen e shtetit. “Deshën ta rrëzojnë Serbinë, por dështuan,” shkroi ai në Instagram.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Beogradit njoftoi se pesë persona janë ndaluar të premten, nën akuzat për komplot kundër qeverisë. Ministri i Brendshëm dënoi dhunën dhe paralajmëroi arrestime për të gjithë përgjegjësit.
Protestat e vazhdueshme dhe grevat studentore po rrisin presionin ndaj Vuçiqit, i cili ndodhet në mandatin e tij të dytë që përfundon në vitin 2027.