Kombëtarja e të verbërve e Kosovës merr pjesë në Kampionatin Evropian në Poloni

- Bota Sot

Kombëtarja e të verbërve e Kosovës merr pjesë në Kampionatin Evropian në Poloni

Kombëtarja e Kosovës në futboll për të verbër, e cila për herë të parë do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni i Dytë, e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para udhëtimit drejt Krakovit të Polonisë, ku do të mbahet kjo garë nga data 29 qershor deri më 7 korrik.

Kosova bën debutimin e saj në këtë ngjarje prestigjioze evropiane, ku në grup do të përballet me katër kundërshtarë. Ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër vendit mikpritës, Polonisë, ndërsa më pas do të ballafaqohet me Kazakistanin.

Në dy sfidat e fundit të grupit, Kosova do të përballet me Rumaninë dhe Spanjën, kjo e fundit njëra nga kombëtaret më të forta në këtë kategori.

Për këtë garë historike, përzgjedhës Mahmutaj ka ftuar këta futbollistë: Vilson Hajdari (portier), Florian Zeka, Herolind Gashi, Bekim Krasniqi, Daut Hoxha, Shqipron Kuliqi, Fatlum Elshani dhe Mark Pjetraj (kapiten).

Pjesëmarrja në këtë kampionat përfaqëson një moment historik për sportin e të verbërve në Kosovë dhe është dëshmi e përkushtimit të Federatës së Sporteve për të Verbër e Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për gjithëpërfshirje, barazi dhe zhvillim të sportit për të gjithë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot