Artiljerët ukrainas luftojnë me armët e rusëve për ta mbrojtur Pokrovskun

- Bota Sot

Artiljerët ukrainas luftojnë me armët e rusëve për ta mbrojtur Pokrovskun

Artiljerët e Brigadës së 25-të Ajrore të Ukrainës janë duke e frenuar vazhdimisht përparimin e forcave ruse pranë Pokrovskut, ashtu siç po bëjnë shumë ekipe të tjera të artilerisë.

Por, ky njësit ka një ndjeshmëri të veçantë për ironinë: ushtarët e tij po përdorin artileri që ia kanë kapur ushtrisë ruse, dhe po ia drejtojnë topin 152-milimetërsh çdo ditë trupave dhe automjeteve ruse.

“Nuk mund të qëndrojmë gjatë në një vend”, i thotë një ushtar korrespondentes së Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL), Yevhenia Rusetska, duke shpjeguar se goditjet e tyre me predha nuk kanë kaluar pa u vënë re nga komandantët rusë.

Kështu, ndërrimi i vazhdueshëm i pozicioneve është pjesë thelbësore e suksesit dhe sigurisë së njësitit.

Ata janë gjithashtu kanë më pak fuqi zjarri, thotë një ushtar ukrainas me nofkën ushtarake “Manul”.

Ushtria ukrainase thotë se më shumë se 100 përleshje luftarake ndodhin çdo ditë me forcat ruse përgjatë frontit lindor të Ukrainës.

Forcat ruse kanë carë përpara dalëngadalë më afër Pokrovskut në rajonin e Donjeckut që nga korriku i vitit 2024, duke siguruar kështu disa prej fitimet më domethënëse territoriale në muajt e fundit, sipas burimeve zyrtare.

Por, ky përparim ka kushtuar shumë në njerëz dhe pajisje për rusët, sipas analistëve të cituar nga BBC-ja.

“Ata kanë më shumë municione me rreze të gjatë se ne dhe mund të qëllojnë sa të duan”, shpjegon Manul.

“Përafërsisht, për çdo predhë që ne e hedhim, ata i hedhin dhjetë”, tregon ai.

Por, maskimi, lëvizshmëria dhe inteligjenca përmes dronëve i kanë mbajtur ushtarët ukrainas gjallë dhe të dobishëm, shton ai.

Kur njësiti duhet të lëvizë pa u vërejtur, ata e shohin të dobishme të presin “zonën gri”, siç e quan ushtria periudhën e ditës kur dronët janë më pak efektivë.

Artiljerët janë bërë gjithashtu të aftë në përdorimin e armës së tyre të fituar, një pjesë artilerie Msta-S e lënë pas nga rusët dhe e rikuperuar pranë Izjumit.

Kjo armë, edhe sot, mbetet e lidhur me ushtrinë ruse, ndonëse jo në mënyrën që planifikuesit në Moskë do ta kishin dashur ndonjëherë.

Kjo artileri ndalon përparimet ditore të rusëve të përbërë nga grupe të vogla e të çorganizuar këmbësorësh, patrulla me motoçikleta dhe herë pas here ndonjë automjet i blinduar, thonë artiljerët ukrainas.

Gjatë ditëve të gjata të verës, pushtuesit shpesh mund të vërehen qartë në fushat e hapura, duke bërë lëvizje të qëndrueshme, por të pasuksesshme rreth zonave të Pokrovskut.

Qyteti është pothuajse i rrethuar nga forcat ruse prej muajsh dhe është goditur nga mijëra predha artilerie ruse, por kontrolli mbi Pokrovskun mbetet në duart e Ukrainës.

Gjatë një sulmi rishtazi nga ushtarë rusë me motoçikleta, siç shpjegoi një ushtar ukrainas i quajtur Serhiy, “pushtuesit nuk patën sukses”.

“I sulmuam me gjithçka që kishim: artileri, granata të hedhura nga dronët, dronë FPV dhe dronë të mëdhenj bombardues”, tha ai.

Teksa Serhiy po vëzhgonte ekranet që transmetonin imazhet nga kamerat e dronëve që tregonin rusët pas një serie goditjesh të synuara nga mbrojtja ukrainase, ai e pyeti një shok për gjendjen e grupit të pushtuesve.

“Ka ndonjë lëvizje në fushë?”

“Jo”, erdhi përgjigjja. “Asnjë lëvizje”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot