Bayern Munich nuk po heq dorë nga gara e ngushtë për të transferuar Nico Williams, objektiv kryesor i Barcelonës gjatë kësaj vere. Katalanasit kanë ringjallur interesin e tyre për yllin e kombëtares spanjolle, pasi nuk arritën ta bindnin të largohej nga Athletic Bilbao në verën e vitit 2024.
Edhe pse një vit më parë ai vendosi të qëndrojë në vendlindje, Barcelona nuk është tërhequr nga përpjekjet për të sjellë 22-vjeçarin në “Camp Nou”. Megjithatë, marrëveshja është ende larg finalizimit, pasi Athletic Club nuk pranon të negociojë dhe këmbëngul në pagesën e plotë të klauzolës së lirimit prej 51 milionë paundësh (rreth 58 milionë euro).
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se klubi është i gatshëm të paguajë këtë shumë, por tentativa për një pagesë të strukturuar po pengon procesin. Çdo devijim nga klauzola e drejtpërdrejtë mund të shkaktojë dështimin e marrëveshjes – edhe pse vetë Williams ka shprehur qartë dëshirën për t’u bashkuar me skuadrën e Hansi Flick për sezonin 2025/26.
Kjo hapësirë e vogël pasigurie mban ende të hapur derën për Bayern Munich, që ka identifikuar Williams si përforcimin e preferuar të Vincent Kompany për krahun e sulmit. Klubi bavarez dështoi së fundmi të bindte Jamie Bynoe-Gittens të kalonte nga Borussia Dortmund, pasi ai pritet të transferohet te Chelsea, dhe kështu sytë e Bayernit tani janë kthyer nga Williams.
Në letër, Barcelona ka epërsinë: lojtari dëshiron kalimin në Katalonjë dhe klubi ka kapacitetin financiar për të përmbushur kërkesën e Athletic. Por për shkak të kufizimeve financiare të Barcelonës dhe rregullit 1:1 për blerjet dhe shitjet, çdo vonesë ose ngërç mund të sinjalizojë alarmin në Mynih.
Sipas ekspertit të Bundesligës, Christian Falk, Bayern e ka ende në listën e tyre të ngushtë Williamsin dhe do të jetë gati të ndërhyjë nëse Barcelona dështon ta mbyllë marrëveshjen. Kompany pritet të ndjekë me vëmendje zhvillimet në ditët në vijim, ndërsa merkatoja e verës hyn në fazën vendimtare.