Struga fillon me përforcimet, Marco Angeletti goditja e parë

- Bota Sot

Struga fillon me përforcimet, Marco Angeletti goditja e parë

Afati kalimtar i verës në Strugë ka nisur me një goditje në portë! Struga Trim Lum ka zyrtarizuar sot përforcimin e parë për sezonin e ri, duke nënshkruar me portierin italian, Marco Angeletti, njofton Telegrafi.

Portieri 24-vjeçar ka nënshkruar kontratë profesionale që hyn në fuqi menjëherë dhe është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, me mundësi për zgjatje edhe për një vit tjetër.

I lindur më 24 prill 2001, Angeletti është produkt i akademisë së njohur të Spezia-s, ku ka kaluar të gjitha grupmoshat deri në ekipin e parë. Si 19-vjeçar, ai u transferua te Pontedera, ndërsa më pas ka mbrojtur ngjyrat e disa klubeve të tjera në kategoritë e ulëta italiane. Përvoja e tij e fundit ndërkombëtare ishte me FC Europa nga Gjibraltari, ku qëndroi gjatë sezonit të kaluar.

Drejtori Sportiv i klubit, Besart Isaku, ka komentuar afrimin e italianit me optimizëm:

“Mund të them se kemi marrë një portier me perspektivë, një portier edhe për të ardhmen. Duke pasur parasysh se Italia gjithmonë prodhon portierë të mirë, ne besuam pikërisht te Angeletti, i cili besoj të jetë italiani i parë portier që do jetë pjesë e Ligës së Parë. Shpresojmë të ambientohet shpejt me skuadrën, që nga sot nis fazën e përgatitjeve për sezonin e ri.”

Për Angelettin, kjo do të jetë aventura e tij e dytë jashtë Italisë, pas përvojës në Gjibraltar. Me këtë transferim, Struga Trim Lum tregon qartë ambiciet për të ruajtur nivelin dhe konkurrencën në të gjitha repartet. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot