Finale e parakohshme në Botërorin e Klubeve

- Bota Sot

Finale e parakohshme në Botërorin e Klubeve

Bajerni i Mynihut është në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube FIFA. Me fitoren 4-2 ndaj Flamengos, kampionët e Gjermanisë u kualifikuan për në tetë skuadrat më të mira të turneut. Ishte një duel intensiv, që në fund e pa Bajernin të triumfonte.

“Ne luajtëm mirë që nga fillimi, por sa herë që ndiheshim sikur po tërhiqeshim, ata riktheheshin në lojë dhe na e vështirësuan së tepërmi ndeshjen”, tha golashënuesi i bavarezëve, Herri Kejn, autor i dy golave në suksesin kundër Flamenos. Jo më kot, anglezi 32-vjeçar u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

“Ekipi gjeti ritmin e duhur. Kundër një kundërshtari si Flamengo ishte e rëndësishme që të luanim kompakt dhe të ishim gjithmonë të rrezikshëm dhe kjo ishte situata gjatë gjithë ndeshjes”, tha trajneri Vinsent Kompani.

“Ishte një ndeshje e vështirë kundër një skuadre vërtet të fortë dhe në kushte të vështira. Ne luajtëm mirë që nga fillimi, por sa herë që dukej se kishim gjithçka nën kontroll, ata reagonin. Mendoj se pjesa e dytë, veçanërisht gjysma e saj, ishte mjaft e vështirë”, deklaroi Kejn.

Sulmuesi anglez bëri me dije se ishte goli i tij me 17 minuta të mbetura deri në fund që vendosi gjithçka, pasi në të kundërt për Bajernin mund të kishte rezultuar shumë më e ndërlikuar nga sa mendohej.

“Goli i katërt ishte vërtet i rëndësishëm për ne për të qetësuar nervat tona për dhjetë minutat e fundit. Jo sepse e shënova unë, por sepse po vuanim presionin e tyre. Pastaj edhe vapa bënte punën e saj. Ai gol ishte vital për ne. Pas atij goli, ne e kontrolluam mirë ndeshjen. Edhe Flamengo nuk kishte më forcë reaguese”, shtoi Kejn.

Kapiteni i kombëtares angleze natyrisht që foli dhe për duelin në çerekfinale, ku bavarezët do të përballen me kampionët e Europës, Paris SG-në.

“Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë kundër PSG-së. Ata kanë pasur një sezon të jashtëzakonshëm. Ne kemi luajtur kundër tyre më parë këtë sezon dhe kemi fituar. Duhet të përpiqemi ta sjellim atë energji dhe ndjenjë të mirë në ndeshje. E dimë që do të jetë e vështirë, por mendojmë se nëse jemi në formën tonë më të mirë, mund të mposhtim këdo. Duhet të rikuperohemi mirë dhe të përgatitemi tani”, deklaroi sulmuesi i Bajernit.

GORECKA – Për ndeshjen ndaj Flamengos ka folur dhe mesfushori Leon Gorecka, autor i një prej golave të fitores së Bajernit.

“Ishte një ndeshje shumë intensive.

Të dyja ekipet donin të bënin presion të lartë dhe të shkonin një kundër një. Në këto temperatura, është e vështirë.

Por është kënaqësi të luftosh kështu dhe jemi të lumtur që kemi avancuar në raundin tjetër. E dinim se do të ishte një ndeshje shumë fizike.

Atmosfera në stadium ishte përsëri e shkëlqyer dhe është e rëndësishme të qëndrojmë të qetë dhe ta mbajmë topin në radhët tona. Mund të kishim bërë edhe më mirë në disa momente.

Tani përballemi me fituesit në fuqi të Ligës së Kampionëve.

Me siguri do të jetë një përballje e vështirë përsëri. Ne kemi luajtur tashmë kundër tyre një herë me sukses këtë sezon dhe mezi presim ndeshjen”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot