Dinamo ka startuar javën e katërt të fazës përgatitore në Ohër, padyshim një fazë e mirëfilltë për dinamovitët.
Për plotësimin e fazës u favorizuan edhe nga kalimi direkt në fazën e dytë të Ligës së Konferencës, gjë e cila u jep mundësi të besuarve të trajnerit Ilir Daja të marrinë ngarkesën e duhur. Gjithsesi, kjo fazë është shoqëruar edhe me ndonjë shqetësim, siç është rasti i lëndimit të mbrojtësit të Kombëtares, Naser Aliji.
Duket se edhe situata e mbrojtësit po shkon drejt stabilizimit, pasi ka qenë vetë Aliji, që me një postim në rrjetet sociale, ka paralajmëruar se do të rikthehet shumë shpejt. Dinamo do të ketë mundësi që sot të luajë miqësoren e tretë ndaj një kundërshtari që po përgatitet për pjesëmarrjen në Europë.
Pas fitores 4-1 ndaj Ballkanit dhe humbjes 1-0 me Partizanin, sot në stadiumin e Tetovës dinamovitët do të përballen me kampionen e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës. Testi do t’u shërbejë të dy trajnerëve, Jeton Beqiri i tetovarëve dhe Ilir Daja i dinamovitëve, për të parë gjendjen e skuadrave në prag të ndeshjeve të para në Kupat e Europës.
Gjithsesi, skuadra e trajnerit Daja ka dy javë më shumë në dispozicion për t’u përgatitur, ku do të mësojë edhe emrin e kundërshtarit, që i bie të jetë fituesi i çiftit Ateletik Eskaldes- Didelenzh.