Kos për Planin e Rritjes: 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar

- Bota Sot

Kos për Planin e Rritjes: 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar

Komisionerja për Zgjerim dhe Fqinjësi e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka thënë se nga 1 janari 2026 në vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ketë roming falas me unionin evropian.

Ajo, në Samitin Ballkan Perëndimor-Bashkim Evropian që u mbajt në Shkup të martën, tha se liderët e BE-së janë të gatshëm për një gjë të tillë, mirëpo shtoi se vendet e rajonit duhet të bëjnë reforma dhe ndryshime në legjislacion.

Duke folur për Planin e Rritjes, ajo tha se 75 për qind e reformave të dakorduara janë zbatuar nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor.

Kos: Nga 1 janari 2026 mund të kemi roming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor në BE

“Folëm gjithashtu për roming-un. Nëse vërtetë do të punojmë fort, dhe e kuptoj që liderët e BE-së janë të gatshëm ta bëjnë këtë, që nënkupton shumë reforma dhe ndryshime në legjislacion, mund të kemi roming falas për vendet e Ballkanit Perëndimor që nga 1 janari 2026,” tha ajo në konferencë për media, pas përfundimit të samitit.

Megjithatë, ajo shtoi se 25 për qind e reformave ende nuk është zbatuar, andaj inkurajoi liderët e vendeve rajonale që të shtojnë angazhimin drejt zbatimit të tyre.

Kos përmendi gjithashtu krijimin e 11 pikave kufitare prioritare me kalime të gjelbra, që synojnë të lehtësojnë lëvizjen e mallrave.

Kos: Në kuadër të Planit të Rritjes, vendet e rajonit kanë zbatuar 75 për qind të reformave

Plani i Rritjes është, gjithashtu, një pjesë qendrore e asaj që ne e quajmë integrim të përshpejtuar apo të shkallëzuar, ku Komisioni planifikon të integrojë rajonin në tregun e përbashkët si dhe në politikat e BE-së për mbrojtjen, sigurinë dhe gatishmërinë para anëtarësimit në BE. Në Samitin e fundit të Liderëve folëm për planet tona. Tani kemi hyrë në fazën e zbatimit, kështu që ky Samit për Planin e Rritjes ishte për herë të parë mbi zbatimin. Jam krenare që tashmë mund të tregoj rezultatet e para. 75% e reformave të dakorduara, në përgjithësi për të gjitha vendet, janë ose të zbatuara ose në proces. Megjithatë, një e katërta ende nuk është realizuar. Dhe i inkurajoj liderët që të shtojnë angazhimin për zbatimin e mëtejshëm,” tha ajo.

Takimi i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së do të mbahet në vjeshtë në Shqipëri.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.

Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

Disbursimi i mjeteve të parafinancimit për Kosovën në vlerë prej 61 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot